Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, përmes një postimi në Facebook ka thënë se Pakoja e Ahtisaarit dhe parimet e saj ishin një kompromis i rëndë për të realizuar pavarësinë. E ky kompromis do të thotë se ne e kemi shpallur pavarësinë, por së brendshmi Kosovën e kemi bërë jofunksionale përmes privilegjeve të jashtëzakonshme bllokuese që ka pakica serbe, ndërsa thirrjet për mosndryshimin e saj i ka cilësuar si injorim përfundimtartë pozitës së shqiptarëve në Kosovën Lindore.
Në vazhdim postimi i plotë i Valon Muratit.
Është e vërtetë se ky dokument që është jetësuar edhe në Kushtetutë ka ardhur në pako me pavarësinë, por gjithashtu është e vërtetë se ai nuk është më i rëndësishëm se pavarësia. Për më tepër, dokumenti i Ahtisaarit dhe parimet e saj, ishin një kompromis i rëndë për të realizuar pavarësinë. E ky kompromis, do të thotë se ne e kemi shpallur pavarësinë, por së brendshmi Kosovën e kemi bërë jofunksionale përmes privilegjeve të jashtëzakonshme bllokuese që ka pakica serbe.
Në anën tjetër thirrja në mos-ndryshim të kufijve do të thotë gjithashtu injorim përfundimtar i pozitës së shqiptarëve të Kosovën Lindore.
Politika jonë, do të duhej jo të përqendrohej në betejën e brendshme politike se kush është më shumë për ruajtjen e Pakos së Ahtisaarit dhe parimeve të saj të mosndryshimit të kufijve përmes rezolutave të Kuvendit të Kosovës (e çuditshme kjo sidomos kur vjen prej atyre që kinse janë për bashkim kombëtar), por të shfrytëzojë situatën që përmes një konsensusi politik, të shfrytëzojë rrethanat ndërkombëtare, që guximshëm të hap çështjen e Kosovës Lindore, dhe të kërkojë zbatimin e reciprocitetit me tri komunat e veriut të Kosovës.
Nëse kjo çon në ridefinim të kufijve, aq më mirë. Kosova e heq qafe Pakon e Ahtisaarit, i inkorporon pjesët shqiptare të Kosovës Lindore si dhe u jep të drejtë pjesëve serbe të tri komunave veriore të deklarohen për bashkim me Serbinë.
Një situatë e tillë jo që dëmton Kosovën, por është shpëtimi i saj. Varianti që të vazhdohet me këtë status quo, është heqje e përgjegjësive vetjake, mungesë guximi e vizioni dhe lënie për një gjeneratë tjetër realizimi i një procesi të pakthyeshëm tani më. Vetëm se ne do të jemi në pozita më të rënda atëherë: rrezikojmë të humbin edhe pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës si dhe shumicën e Kosovës Lindore për shkak të shpopullimit të saj. Të tjerat janë fatkeqësisht pjesë e një loje politike të luajtur dobët nga të gjithë lojtarët e saj.
“Politika jonë, do të duhej jo të përqendrohej në betejën e brendshme politike se kush është më shumë për ruajtjen e Pakos së Ahtisaarit dhe parimeve të saj të mosndryshimit të kufijve përmes rezolutave të Kuvendit të Kosovës (e çuditshme kjo sidomos kur vjen prej atyre që kinse janë për bashkim kombëtar), por të shfrytëzojë situatën që përmes një konsensusi politik, të shfrytëzojë rrethanat ndërkombëtare, që guximshëm të hap çështjen e Kosovës Lindore, dhe të kërkojë zbatimin e reciprocitetit me tri komunat e veriut të Kosovës”, ka shtuar ai.