Arbëri

Murati “ankohet” te përmbaruesit për problemin që Qeveria s’i gjeti zgjidhje për katër vjet

Gjatë gjithë mandatit, Qeveria nuk e ka adresuar problemin që ka buruar nga Kontrata Kolektive në sektorin e arsimit. Borxhet e krijuara kanë shkaktuar dëme financiare për komunat, ani se ato nuk kanë qenë nënshkruese të kësaj kontrate. E ministri i Financave, Hekuran Murati, ka ngritur shqetësimin se shumë nga paratë kanë përfunduar në xhepin e përmbaruesve

Për katër vjet, Qeveria Kurti nuk i ka adresuar shqetësimet përmbarimore të komunave, të cilat burojnë nga obligimet e Kontratës Kolektive, dokument që u shkakton probleme financiare në dëm të projekteve kapitale.

Duke e quajtur të paligjshme Kontratën e lidhur mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës, pa pjesëmarrjen e komunave, Ministria e Financave nuk ka krijuar një kod buxhetor që do t’i mbulonte obligimet. Shkaku i kësaj, mësimdhënësit i kanë realizuar përfitimet nëpërmjet vendimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore.

Vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti komunave iu morën mbi 35 milionë euro.

“Kontrata Kolektive i ka dëmtuar jashtëzakonisht komunat, për shkak se nuk është planifikuar si duhet, nuk është ndarë buxheti dhe si pasojë e kësaj ka pasur efekte edhe në projektet kapitale. Në Komunën e Drenasit vetëm vitin e kaluar janë shkuar rreth 3.6 milionë euro në mënyrë të dhunshme përmes përmbarimit”, ka thënë Muhamet Gjoka, drejtor DKA-së në Drenas.

Me probleme të tilla është përballur edhe Komuna e Pejës, së cilës nëpërmjet përmbarimit iu morën rreth 11 milionë euro.

“Mundësitë buxhetore për momentin nuk i kemi, për shkak se përmbaruesit i kanë marrë. Vërtet puna në Komunë e Pejës është dëmtuar shumë vitin e kaluar”, ka theksuar Naser Gega, drejtor i arsimit në Pejë.

E në buxhetin për vitin 2025, komunave u është lënë mundësia që mjetet për pozitat e paplotësuara të mund të përdoren për pagesën e detyrimeve që mund të rrjedhin nga vendimet e gjykatave të formës së prerë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, dy ditë më parë ka shprehur shqetësimin për dëmtim të buxhetit prej mbi 100 milionë eurosh dhe ka ngritur dyshimet për abuzime me tarifa nga përmbaruesit.

“Deri më tani nuk kemi dëgjuar për ndonjë rast të hapur nga prokuroria ndaj atyre që nënshkruan paligjshëm dhe i shkaktuan buxhetit të shtetit dëmtim prej mbi 100 milionë eurosh. Çështja tjetër shqetësuese e që duhet të merren organet e rendit është edhe abuzimi i përmbaruesve me tarifat. Nuk janë të rralla rastet kur tarifa e përmbaruesit tejkalon edhe vlerën e borxhit që përmbarohet”, pati shkruar Murati në Facebook.

Qeveria nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS në lidhje me çështjet e adresuara nga ministri Murati.

Ndërkaq, akuzat e Muratit i ka hedhur poshtë kryetari i Odës së Përmbaruesve privatë, Mehdi Reshani, duke e quajtur dezinformatë atë se përmbaruesit përfituan 10 nga 35 milionët që iu morën komunave për dy muaj. Ai ka kërcënuar edhe me padi.

“Nëse Murati nuk tërhiqet nga deklarata, përmbaruesit do të shqyrtojnë mundësitë ligjore për të mbrojtur integritetin e profesionit dhe të drejtën tonë për të ushtruar detyrën në mënyrë të ligjshme dhe të pandikuar nga akterët politikë”, ka theksuar Reshani.

E kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, ka kërkuar nga niveli qendror që ta ndalojë atë që e ka quajtur gjakderdhje financiare.

“Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë gjithmonë pasi që nënshkrues të Kontratës Kolektive janë ministritë e linjës, niveli qendror me sindikatat përkatëse, pa përfshirjen e komunave, pse duhet komuna të marrë barrën financiare”, ka thënë ai.

Sipas Kontratës Kolektive, Sindikata, Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave angazhohen bashkërisht për t’i informuar dhe për t’i ndihmuar komunat që të planifikojnë me kohë koston financiare për mbulimin e obligimeve që kanë buruar nga ky dokument.