Arbëri

Murati akuzon Komunën se kontrata për “Xhorxh Bush” u nënshkrua kundërligjshëm

Hekuran Murati - Perparim Rama

Hekuran Murati

Foto: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar Komunën e Prishtinës se shpalljen e tenderit dhe nënshkrimin e kontratës 18-milionë euroshe për sheshin “Xhorxh Bush” e ka bërë kundërligjshëm, pasi sipas tij, kjo është bërë pa pasur buxhetin e nevojshëm të ndarë.

“Për çdo procedurë prokurimi, kërkohet të nënshkruhet Deklarata e Disponueshmërisë së Fondeve, e cila siguron se organizata, në këtë rast Komuna e Prishtinës, ka fondet e mjaftueshme të buxhetuara. Në Deklaratën e Disponueshmërisë të nënshkruar në vitin 2024 nga Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe nga Zyrtari Kryesor Financiar, thuhet se mjetet e nevojshme për këtë projekt janë 18.4 milionë euro, dhe se ato janë të buxhetuara në kodin 53984 - Rregullimi i Sheshit “George Bush”. Problemi qëndron në faktin se në kodin e projektit në fjalë, në vitin 2024 kanë qenë të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro, nga mjetet vetanake të bartura nga viti paraprak. Pra, Komuna e Prishtinës ka nisur procedurë prokurimi me vlerë 18.4 milionë euro, duke pasur të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro, apo 1/10 e buxhetit të nevojshëm”, ka shkruar Murati në Facebook.

Murati më tej ka thënë se pas tenderit, kontrata u nënshkrua sivjet, “që përbën shkeljen e radhës sepse buxheti i Komunës së Prishtinës megjithëse i miratuar në asamble, për shkak të miratimit me vonesë, ende nuk është miratuar në Kuvendin e Republikës për t’u integruar si plotësim/ndryshim i Ligjit për Ndarje Buxhetore për vitin 2025”.

“Me fjalë tjera, ligji i buxhetit aktualisht në fuqi për vitin 2025, nuk e përmban fare projektin e Sheshit Xhorxh Bush, pra ka 0 euro ndarje buxhetore, por që Komuna e Prishtinës e ka nënshkruar kontratën pavarësisht mungesës së ndarjes buxhetore”, ka shkruar Murati.

Sipas tij, futja në obligime financiare pa mbulesë përbën shkelje të ligjit për financa publike dhe të ligjit për prokurim publik.

“Dëshiroj të besoj që organet e rendit do të kenë zellin e nevojshëm ta trajtojnë këtë rast flagrant të shkeljes ligjore”, ka përfunduar Murati.

Sheshi “Xhorxh Bush” është kthyer në skenë përplasjesh mes Komunës dhe Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Të martën, Inspektorati ia ndaloi për herë të tretë punimet Komunës në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. E hera e tretë për pak përshkallëzoi në konfrontim midis kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarëve të tij me inspektorët e ITK-së. (Lexo më shumë)

KOHA i ka dërguar pyetje Komunës së Prishtinës në e-mail para publikimit të këtij artikulli. Sapo të ketë përgjigje lidhur me qëndrimin e Komunës ndaj akuzës së Muratit, artikulli do të përditësohet.