Arbëri

Mungon i akuzuari Shkumbin Demalijaj, dështon gjykimi në rastin “Veteranët”

Rasti "Veteranët"

Foto:Arkiv

Në mungesë të të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, ka dështuar seanca e së enjtes në rastin e njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast, përveç ish-deputetit Demaliaj, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Lidhur me mungesën e  Demalijajt, avokatja Gerta Ragipi, e cila ishte zëvendësim për avokatin Arianit Koci tha se i njëjti e kishte njoftuar që i akuzuarit Demalijaj nuk mund të paraqitej në seancën e sotme me arsyetimin se e ka përvjetorin e vëllait të rënë dëshmor.

Pas kërkesës të kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Gazmend Bahtiri për një arsye më specifike e njëjta kontaktoi me avokatin Koci dhe ky i fundit e njoftoi se i akuzuari Demalijaj i kishte shkruar se nuk mund të paraqitej në seancë pasi që kishte përvjetorin e vëllaut dëshmor.

Gjykatësit Gazmend Bahtiri tha se e kishin parasysh këtë situatë dhe se i vlerësonin rastet e dëshmorëve, por që sipas tij, kjo gjë nuk ishte korrekte për shkak se në seancën e sotme janë prezent të gjithë të akuzuarit me mbrojtësit e tyre.

Për këtë rast, më 21 dhjetor 2023 ka dëshmuar ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro. / Betimi për Drejtësi