Arbëri

Institucionet nuk kanë statistika për ngacmimet seksuale në vendin e punës

Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka publikuar manualin për zbatimin e politikës kundër ngacmimit seksual në organet e Administratës Publike. Gjatë konferencës, përfaqësues të Qeverisë e organizatave joqeveritare shprehën shqetësimin e mungesës së statistikave zyrtare për ngacmimet seksuale, ani se besojnë se kjo dukuri ekziston në vendet e punës

Statistika zyrtare për ngacmimet seksuale në vendin e punës nuk ka, megjithatë konsiderohet shqetësues fakti se besohet që kjo dukuri mbizotëron në vendet e punës, thuhet në manualin për zbatimin e politikës kundër ngacmimit seksual në institucionet e Administratës Publike.

Zyra e Kryeministrit të hënën publikoi manualin që synon rritjen e vetëdijesimit për parandalimin e ngacmimit seksual në vendin e punës dhe të ofrojë njohuri praktike për procedurat e raportimit.

Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka thënë se të gjitha instancat e çdo niveli të qeverisjes janë marrë shumë pak me këtë dukuri.

“Është obligim që pas politikës të punohet në ngritjen e kapaciteteve në trajnime të ndryshme të zyrtarëve përgjegjës. Në të njëjtën kohë që të krijohen struktura apo mekanizma adekuatë që kanë me u marrë në parandalimin dhe luftimin e ngacmimit seksual në Administratën Publike. Me mekanizmat që kanë me ndëshku, sanskionu këtë problematikë”, ka thënë Hajredini.

E përfaqësues të misionit të OSBE-së, thanë se ngacmimi seksual ndikon negativisht në mjedisin e punës dhe minon barazinë gjinore në punë.

“Ky manual është një udhëzues për parandalimin e të gjitha formave për të siguruar një mjedis punë pa ngacmime të tilla. Sa i përket ngacmimit seksual, studimet vlerësojnë se diku 48% e kosovarëve kanë përjetuar një lloj forme të ngacmimit seksual në jetën e tyre, ku gratë janë të ndikuara 64% kundrejt meshkujve”, ka deklaruar Mark Lasser, shef i seksionit për Ligj dhe Drejtësi në kuadër të misionit të OSBE-së.

Luljeta Demolli, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, është shprehur se viktimat e ngacmimit zakonisht janë pa pushtet dhe pa vendimmarrje.

“Ngacmuesit në vendin e punës zakonisht mbajnë poste të larta në Kosovë dhe përdorin autoritetin për vendimmarrje mbi aspektet që kanë ndikim të rëndësishëm në karrierën e të punësuarve ose dëshirojnë të ushtrojnë pushtet dhe kontroll ndaj viktimës. Në anën tjetër, viktimat në Kosovë janë tipike pa pushtet, pa vendimmarrje”, ka deklaruar Demolli.

Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, gjatë vitit të kaluar mbajti sesione informuese në të gjitha rajonet e Kosovës.