Arbëri

Mungesë vullneti për zbatimin e marrëveshjeve, BE-ja u tregua e pafuqishme për t’i nxitur palët

Përveç mungesës së vullnetit politik nga Kosova e Serbia për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, njohës të zhvillimeve nuk e lënë pa faj as ndërmjetësuesin e këtij procesi, Bashkimin Evropian, i cili së fundmi deklaroi se palët nuk janë të gatshme për normalizim të marrëdhënieve. E në mungesë të përparimit në dialog, njohësit nuk i përjashtojnë as tensionet duke iu referuar paralajmërimit të serbëve për bojkotim të zgjedhjeve në veri

Skepticizmi i emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, rreth normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë po shihet edhe si pafuqi e Brukselit për t’i shtyrë palët në zbatimin e marrëveshjeve për të cilat janë dakorduar.

Lajçak, i cili është në përfundim të mandatit si ndërmjetës, nga Sofja deklaroi së fundmi se palët nuk janë të gatshme për normalizim.

Belgzim Kamberi- drejtor ekzekutiv në institutin për politika sociale, “Musine Kokalari” ka listuar dy arsye kryesore për mungesën e përparimit në dialog.

“Kryesorja është mungesa e vullnetit politik nga Kosova e Serbia për të zbatuar marrëveshjen për të cilën janë pajtuar, dhe në anën tjetër mungesa e fuqisë politike e vetë Bashkimi Evropian dhe e ndërmjetësve për ta realizuar dhe zbatuar marrëveshjen të cilën ata e kanë skicuar. Këto dy elemente kanë quar në dështimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje e cila tashmë është peng i shumë strukturave aktuale në Prishtinë e Beograd, por edhe i strukturave të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Me shumë gjasë duhet pritur të mbahen zgjedhjet në BE e SHBA mbase edhe në  Kosovë për të parë nëse ka mundësi të zhbllokohet kjo marrëveshje dhe zbatimi i saj”, ka thënë Kamberi.  

Ndërkaq analisti Visar Xani thotë se me moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit nuk janë vetëm Kosova e Serbia fajtore, por edhe Lajçaku e Bashkimi Evropian.

“Me moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit nuk janë vetëm Kosova e Serbia fajtore, por një pjesë të madhe të fajit e kanë edhe zotëri Lajçak dhe Bashkimi Evropian, që janë në njëfarë mënyrë lehtësues të këtij procesi dhe pastaj edhe garantues të implementimit të zotimeve. Në të ardhmen palët duhet të ballafaqohen me një presion korrekt me qëllimin që të detyrohen të zbatohen të gjitha obligimet pa toleruar asnjërën palë. Nuk duhet  vetëm Kosova të vihet nën presion dhe sanksione, ndërsa ndaj Serbisë, ku kemi edhe shembullin e fundit me krijimin e një ekipi enkas që e shkel në mënyrën flagrante Marrëveshjen e Ohrit, shohim se gjuha e Bashkimit Evropian është shumë e butë. Në këtë mënyrë nëse vazhdohet tutje nuk do të kemi zbatim të atyre marrëveshjeve as në 2024-n apo 2025-n ku palët vetëm marrin zotime”, ka theksuar Xani.

Skeptik për rrugën përpara

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në forumin “BE-ja takon Ballkanin” në Sofje, u shfaq skeptik për rrugën përpara.

“Me Marrëveshjen e Ohrit, që është një udhëzues drejt normalizimit, më nuk mund të pyesim se çfarë duhet bërë dhe si të bëjmë. Por e vërteta është se kam shpresuar që deri sot shumica e pikave të zbatoheshin. Por ka ndodhur shumë pak. Pse kështu, pasi normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është çështje shumë e ndjeshme. Nuk besoj se palët janë të gatshme për këtë, nuk besoj se shoqëritë janë të gatshme për këtë”, ka thënë Lajçak.

“Ajo që shoh, sa herë që ka përparim, dy liderët, Albin Kurti e Aleksandar Vuçiq, kritikohen ashpër nga opozita. Por në realitet ata duhet përgëzuar që bëjnë përparim drejt normalizimit, pasi është gjë e mirë për qytetarët. Është e qartë që nuk mund të bësh përparim drejt normalizimit kur ke kriza në terren”.

Sipas Kamberit, Bashkimi Evropian nuk ka shumë kapacitete për të nxitur palët në kuptimin e “karotës dhe shkopit”.

“Me gjithë prezantimin e planit të rritjes nga Bashkimi Evropian, kjo nuk mjafton për të zhbllokuar proceset bilaterale kontestuese në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe këtë po e shohim jo vetëm në raportin mes Kosovës e Serbisë, por edhe në problemet aktuale në Bosnjë-Hercegovinë me Republikën Serbe. Pastaj edhe në Maqedoninë e Veriut rreth dilemave kushtetuese dhe Malin i Zi me brishtësinë e vazhdueshme që ka rreth orientimeve gjeostrategjike. Të gjitha këto flasin që Bashkimi Evropian dhe Perëndimi në përgjithësi do të duhej të rimendonin politikat e tyre në Ballkanin Perëndimor se cila duhet të jetë qasja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. E tha edhe Lajçak se marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë ndoshta janë problemi kryesor në rajon”, ka thënë Kamberi.

“Mbetet të shihet nëse një administratë e re në Bashkimin Evropian pas zgjedhjeve do të ketë kapacitetet për të realizuar këto procese. Apo procesi mund të bartet sërish në Uashington nëse vjen në pushtet presidenti Trump, sepse në këta katër vjetët e fundit dialogu ka qenë kryesisht nën drejtimin e BE-së me mbështetjen e administratës Biden”. 

E Visar Xani vlerëson se me moszbatim të zotimeve po u humb rëndësia marrëveshjeve të Brukselit dhe vetë dialogut.

“Prandaj BE-ja është aty për të lehtësuar palët për të garantuar një proces të zbatueshëm dhe jo vetëm obligime në letra dhe mesazhe varësisht nga pozicionet se për cilin vend është fjala. Procesi duhet të jetë i ndërlidhur ngushtë me integrimin dhe aty ku ka zbatim të Marrëveshjes së Ohrit të ketë edhe progres. Përndryshe, në vullnetin e palëve po shihet se dialogu nuk mund të shkojë tutje dhe lënia e zbatimit të marrëveshjeve në vullnet të tyre, sidomos asaj serbe, është i pamundshëm për të çuar procesin përpara”, është shprehur Xani.

Dialogu nën hijen e tensioneve

Entuziazmi që pati mbretëruar në Bashkimin Evropian pas arritjes së Marrëveshjes Bazë dhe aneksit për zbatimin e saj mes Kosovës e Serbisë ishte shuar shpejt pasi mungoi vullneti për zbatimin e tyre. E pas shpërthimit të tensioneve në veri që kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, BE-ja u mor me menaxhimin e krizës duke e lënë dialogun nën hije. Për pasojë, asnjëra prej pikave të dakorduara nga marrëveshja e fundit nuk ka nisur ende së zbatuari. 

Pjesë e obligimeve është edhe marrëveshja e arritur para 11 vjetëve. 

Marrëveshja e Parë e ashtuquajtur për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve ende nuk është zbatuar plotësisht. Gjashtë pikat e para të saj i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në vitin 2015 ishte arritur marrëveshje tjetër mbi parimet e Asociacionit, të cilën Gjykata Kushtetuese e pati hedhur poshtë.

Për këtë mekanizëm, aranzhime pranoi edhe Qeveria Kurti me Marrëveshjen Bazë të arritur më 27 shkurt 2023 në Bruksel dhe me Aneksin për Zbatimin e saj më 18 mars në Ohër.

Ndërmjetësi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me përfaqësues të QUINT-it më 21 tetor 2023 ua dorëzuan palëve propozimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo u pasua me takimet e ndara në Bruksel mes liderëve të Kosovës e Serbisë me përfaqësues të QUINT-it. Por mungoi dakordimi rreth dokumentit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e pati kushtëzuar zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sipas propozimit të BE-së, me nënshkrimin e dokumenteve të dialogut. Edhe pse Kurti ishte gati ta nënshkruante marrëveshjen bazë, aneksin dhe propozimin e ri për themelimin e Asociacionit, BE-ja e shpërndau përgjegjësinë tek të dyja palët, me arsyen se u vendosën parakushte.

Potencial për rikthimin e tensioneve

Pas ngecjeve në zbatim, udhëheqësit e Kosovës në disa raste e kanë përsëritur se prioritet është siguria në vend, duke paralajmëruar se Serbia po përgatit sulm tjetër në veri, pas atij në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në mungesë të dialogut, njohësit e zhvillimeve shohin potencial për rikthim të tensioneve.

“Janë dy procese që e rrisin potencialin për tensione të reja. Njëri, bojkoti i Listës Serbe, i urdhëruar nga presidenti Vuçiq, që nuk e zhbllokon integrimin e serbëve të veriut në institucionet e Kosovës, jo vetëm në pushtetet e reja nëpër komuna, por edhe në polici e gjyqësi. Nga ana tjetër kemi edhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës që nuk përjashtohet mundësia që të kushtëzohet me kërkesën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe dërgimin e dekretit  qeveritar në Gjykatën Kushtetuese. Mund ta kemi rastin e ngjashëm si me liberalizim dhe Këshillin e Ministrave të mos e fusin fare në rend të ditës anëtarësimin e Kosovës në KiE nëse nuk ka një hap të parë për themelimin e Asociacionit”, ka thënë Belgzim Kamberi. 

Ndërkaq Visar Xani thotë se dështimi i dialogut e zvarrit procesin dhe hap rrugë për destabilizim. 

“Dështimi i dialogut zvarrit procesin dhe hap rrugë për destabilizim e motivim të grupeve kriminale dhe po ashtu rrit mundësinë që Serbia të vazhdojë të mbajë kontrollin mbi këto grupe”, ka potencuar Xani.

Brukseli ua ka bërë të qartë palëve në disa raste se marrëveshjet janë të zbatueshme në tërësinë e tyre dhe do të bëhen pjesë integrale në rrugëtimin drejt BE-së, pavarësisht se nuk janë firmosur.

Megjithëkëtë, pala serbe as dy ditë nuk i kishte qëndruar pas dakordimit për të cilin Joseph Borrell tha se ai dhe kryeministri Albin Kurti ishin pajtuar.

Ndonëse neni katër i Marrëveshjes bazë përcakton se Serbia nuk e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, Vuçiq deklaroi hapur se nuk e respekton atë.

Madje kryeministrja serbe e asaj kohe, Ana Bërnabiq, i shkroi letër Brukselit përmes së cilës e njoftoi atë se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit konsiderohen të pranueshme vetëm në kontekstin ku nuk përfshihet njohja “de facto” apo “de jure” e Kosovës.

Së fundmi, Serbia aktivizoi edhe një ekip për të lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, në pritje të votimit në Asamblenë Parlamentare më 16 prill.