Arbëri

Mungesa e teksteve shkollore, Ministria ua hedh fajin drejtorive komunale të Arsimit

Jo të gjithë nxënësit janë pajisur me tekste shkollore, edhe pse mësimi filloi një muaj me vonesë. Këshilli i Prindërve e cilësoi këtë problem si të përsëritshëm, derisa zëvendësministrja e Arsimit përgjegjësinë ua hodhi DKA-ve.

Përkundër që viti shkollor filloi një muaj më vonë, jo të gjithë nxënësit u pajisën me tekstet shkollore.

Në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë udhëheqësit e shkollës treguan se 30 nxënës të klasës së gjashtë kanë mbetur pa tekste shkollore.

Ndonëse nuk pranuan të flasin para kamerës, nën arsyetimin se janë të zënë me takime, po ashtu thanë se ka më shumë se kaq mungesa.

Edhe Këshilli i Prindërve e ka ngritur këtë problem, meqë përsëritet çdo vit.

“Edhe përkundër faktit që institucionet janë të njoftuara për një kohë të pushimit prej dy muajve duhet të përgatiten të fillojnë mësimin me një shtator, kjo po përsëritet edhe kur nuk ka pasur pandemi. Shqetësimet e këshillit të prindërve që kanë qenë për mospërgatitjen e duhur të institucioneve po vërtetohen”, ka thënë Ymret Reshiti nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Për këtë problem të krijuar, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Bërdyna, tha se përgjegjësia bie mbi drejtoritë komunale të Arsimit.

“Si Ministri e Arsimit disa herë kemi bërë thirrje që drejtoritë komunale të jenë të kujdesshme në grumbullimin e të dhënave për numrin e nxënësve, sepse tekstet shkojnë vetëm në bazë të kërkesave që ne na dërgojnë DKA-të. Andaj, nëse ndonjë nxënës ka mbetur pa tekste mësimore përgjegjësia mbetet mbi ata të cilët i kanë dërguar të dhënat e nxënësve për pajisje me këto tekste”, është shprehur ajo.

Maloku – Bërdyna tutje ka shtuar se ekipet e ministrisë janë duke vizituar shkollat për të parë se sa ka mungesë të teksteve shkollore.