Arbëri

Mungesa e përgjegjësisë individuale po çon në dështim të Kuvendit

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se mungesa e përgjegjësisë individuale e secilit deputet është arsyeja përse Kuvendi i Kosovës po ka ngecje në përmbushjen e agjendës legjislative.

Në emisionin SOT në KTV, Haxhiu ka thënë se pavarësisht se shumica parlamentare është e konsoliduar, Kuvendi ka pasur mundësi të kryejë më shumë punë sivjet.

“Nuk shkojnë në seanca, nuk qëndrojnë. S’marrin pjesë aty kur votohet. Pritjet kanë qenë më të mëdha, për shkak të shumicës së konsoliduar parlamentare. Kuvendi ka mundur të bëjë më shumë. S’ka qenë produktiv në raport me shumicën parlamentare. Ka qenë fokusi tek institucionet e pavarura, shumë mirë, por duhet të ketë balanc”, ka thënë ajo. “Pritjet e mundësitë më të mëdha sesa që është bërë në këta tetë muaj”.

Haxhiu ka bërë të ditur se janë 57 projektligje në procedurë për shqyrtim në Kuvend dhe ky numër sipas saj nuk mund të përmbushet deri në fund të vitit.

Për mosmarrëveshjet politike si arsyetim për dështim të punës së Kuvendit, Haxhiu ka thënë se “po që se do të ishin, ato do të duhej të thuheshin në publik”.

“Përtej mosmarrëveshjeve, është mungesë e përgjegjësisë indidivudale të secilit deputet. E detyra e tyre parësore është pjesëmarrja në punë. Kjo e përcjell vazhdimisht Kuvendin. Mungesa e përgjegjësisë individuale i ka pasojat e mëdha. E pasojat janë pamundësia për të çuar përpara proceset e rëndësishme. Në këtë situatë padyshim është rimëkëmbja ekonomike. Muajve të fundit kemi pa pamundësinë për të shtyrë përpara marrëveshjet ndërkombëtare financiare. S’kanë arritur të kenë konsensus për t’i krijuar 80 vota për. Kjo ndikon në secilin vendim më pas. Projektligjet që kërkojnë shumicë të thjeshtë, s’është problematikë, por po ka çështje tjera që kërkojnë konsensus. Rregullorja e punës së Kuvendit do të krijonte funksionim më të mirë, por problemi është prapë mungesa e konsensusit sepse edhe ajo kërkon 2/3 e votave. Ndoshta edhe zgjedhjet lokale e kanë ulur dinamikën dhe Kuvendi po e ka problem ta kthejë atë dinamikën e madhe të punës”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, edhe zgjedhjet lokale të periudhës tetor-nëntor kanë ndikuar në mospunë të Kuvendit. Ajo ka thënë se ka pasur dakordim joformal dhe secili deputet e grup parlamentar është marrë vetëm me zgjedhje lokale.

Ligjet që, sipas saj, kanë nevojë të shtyhen përpara janë ato të pakos ERA, ajo për financimin e subjekteve politike e arsimin e lartë.

Sa i përket punës së opozitës, Haxhiu ka thënë se opozita aktuale është më konstruktive se që ka qenë ajo në të kaluarën. Ajo megjithatë ka thënë se opozita s’është e interesuar ta bëjë mbikëqyrjen e ekzekutivit.