Arbëri

Mungesa e nënshkrimeve, nyje rreth dialogut

Dialogu

Dialogu

Kushtet e vëna për zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu i Brukselit po shihen më shumë si arsyetim i palëve për t’i shtyrë sa më shumë obligimet që janë marrë përsipër. Pas takimit të fundit në Prishtinë midis emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, theksi është vënë tek domosdoshmëria e nënshkrimit të dokumenteve. Për të përmbushur kërkesën e palëve, Brukseli zyrtar ka propozuar që mbi marrëveshje të vihen vetëm inicialet, opsion të cilin nuk e kanë komentuar në Qeverinë e Kosovës

Nyja rreth dialogut Kosovë-Serbi ka mbetur tek nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë dhe dokumenteve të tjera nga dialogu i Brukselit për të cilat insiston pala kosovare.

Kjo çështje ka qenë temë diskutimi në takimin e së martës, të cilin emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka pasur me zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, në Prishtinë. Derisa vënien e firmave Qeveria e sheh si garanci për zbatimin e marrëveshjeve, BE-ja ka propozuar vënien e inicialeve mbi marrëveshje. Në Qeverinë e Kosovës të merkurën nuk janë përgjigjur rreth kësaj mundësie, e sqarime të tjera nuk janë ofruar as nga zyra e Lajçakut.

Por Arbnor Sadiku, analist politik, thotë se kërkesat e palëve janë pretekst për ta shtyrë zbatimin e obligimeve të marra përsipër.

“Praktikisht është një lloj kurthe në të cilën ka rënë Qeveria e Kosovës në kuptimin e asaj që e dimë nga e kaluara se marrëveshjet nuk janë me patjetër që të nënshkruhen në mënyrë që ato të jenë të implementueshme. Në njëfarë forme tashmë po shihet se dialogu ka hyrë në një rrugë qorre dhe nuk do të dihet kur mund të kemi zhbllokim të situatës”, ka thënë Sadiku.

Ai ka folur për pengesat që aktualisht janë në dialog dhe për kohën kur ai mund të kthehet në binarë.

krejt kjo lojë mund të përfundojë pas zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë dhe zgjedhjet tjera që do të mbahen në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tash për tash, të dyja palët do të mundohen të gjejnë arsyetime dhe pështjellime të tilla në kuptimin e asaj që të ruajnë ‘status quon’ dhe se nuk do të pranojnë kompromise të reja”, është shprehur Sadiku.

Brukseli ua ka bërë të qartë palëve në disa raste se marrëveshjet janë të zbatueshme në tërësitë e tyre dhe se do të bëhen pjesë integrale në rrugëtimin e tyre drejt BE-së, pavarësisht se ato nuk janë firmosur.

Dialogu i nisur si teknik në vitin 2011 rrëshqiti në atë politik me marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013, mbi të cilën patën vënë inicialet ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq. Marrëveshja 15-pikësh ishte ratifikuar edhe në Kuvendin e Kosovës, por të njëjtën procedurë nuk e ka ndjekur edhe Serbia.

Emisari Lajçak, në një intervistë për “Nacionalen”, ka zbuluar dy propozimet që ka bërë sa i përket marrëveshjes bazë. Sipas tij, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i është ofruar formalizimi në përputhje me Marrëveshjet e mëparshme të dialogut, siç është vendosja e inicialeve apo dërgimi formal në OKB.

Por zëvendëskryeministri Bislimi, pas takimit me Lajçakun ka thënë se vetëm nënshkrimi i Marrëveshjes me Serbinë është garanci dhe pranim për zbatimin e saj.

Pas takimit të martën me ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun, Bislimi e ka përsëritur se refuzimi i palës serbe për nënshkrim të marrëveshjes nuk kontribuon pozitivisht në frymën e dialogut. Sipas tij, marrëveshja duhet të zbatohet nëpërmjet një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve. Ai e ka përmendur edhe refuzimin nga Serbia, përkatësisht letrën e kryeministres, Ana Bërnabiq, dhjetorin e viti të kaluar, me anë të së cilës ajo e pati njoftuar Brukselin se Serbia nuk e merr përsipër zbatimin e pikave të marrëveshjes që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës. Mes tyre është edhe pika që u kërkon palëve që të mos vendosin pengesa për njëra-tjetrën sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Bislimi e Lajçaku kanë folur edhe mbi zbatimin e marrëveshjes për energji dhe shkeljet e palës serbe në ndërhyrjet në frekuencat brenda territorit të Kosovës. Në një konferencë për media, Lajçaku ka thënë se është duke planifikuar që në ditët në vijim të mbajë takim mes kryenegociatorëve të dialogut.

besoj se do të ketë zhbllokim në dialog. Më tepër do të jenë takime kurtuazie sa për ta përmbushur agjendën e vetë emisari Lajçak dhe Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell. Por në esencë, praktikisht, palët nuk do të lëvizin dhe do të mbesin në qëndrimet paraprake apo kërkesat fillestare. Tek pas epilogut të zgjedhjeve në SHBA, BE pastaj edhe në Kosovë do të shihet nëse qeveria e re do t’i përmbushë obligimet dhe do ta rindërtojë partneritetin e prishur tashmë më bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë analisti Sadiku.

Deri tash janë arritur rreth 33 marrëveshje me Serbinë, në një proces që është përcjellë me mungesë transparence. Disa prej marrëveshjeve janë negociuar sërish dhe janë prodhuar dokumente shtesë, por të cilat nuk janë bërë publike. Bisedimet teknike patën filluar në marsin e 2011-s, me rezolutën e miratuar nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara që e mandatoi Brukselin për t’i lehtësuar ato.

Në fund të 2012-s, krahas bisedimeve teknike, filluam edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e parë e arritur ishte ajo për regjistrat civilë në vitin 2011. Më pas u arrit marrëveshja për lirinë e lëvizjes, Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), vulat doganore, njohjen e diplomave, Telekomin dhe marrëveshja për hapjen e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë e Beograd.

Marrëveshja e Parë e ashtuquajtur për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve, ende nuk është zbatuar plotësisht. Gjashtë pikat e para të saj i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në vitin 2015 ishte arritur marrëveshje tjetër mbi parimet e Asociacionit, të cilën Gjykata Kushtetuese e pati hedhur poshtë.

Për këtë mekanizëm, aranzhmane pranoi edhe qeveria Kurti me Marrëveshjen Bazë të arritur më 27 shkurt 2023 në Bruksel dhe Aneksin për Zbatimin e saj më 18 mars në Ohër. Më pas, BE-ja ia dorëzoi qeverisë edhe një draftstatut për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, për të cilin kërkon që të miratohet sa më shpejtë dhe që dokumenti t’i përcillet për interpretim Gjykatës Kushtetuese. Por kryeministri Kurti ka bërë të qartë se pa nënshkrim të të gjitha marrëveshjeve nuk do të themelim të Asociacionit.