Arbëri

Mungesa e ndriçimit publik, banorët e “Kalabrisë” ndihen të rrezikuar nga qentë endacakë

Ndriçimi publik vazhdon të jetë problem kryesor i shumë lagjeve të Prishtinës.

Megjithëse rruga kryesore është e ndriçuar, rrugicat e lagjes “Kalabria” janë të gjitha në terr.

Përmes ndriçimit më të madh të shtëpive, nganjëherë banorët mundohen sado pak të bëjnë më të ndriçueshme rrugën nëpër të cilën iu duhet të kalojnë.

Mungesa e ndriçimit publik po i bën qytetarët të ndihen në rrezik, e sipas tyre, rrezikshmëria rritet dhe më shumë gjatë dimrit, nga prania e madhe e qenve endacakë.

Frika më e madhe e tyre është për fëmijët të cilët janë në shkollë deri në orët e mbrëmjes.

Një problem të tillë e kanë shumë lagje e fshatra të Prishtinës.

Komuna e Prishtinës për momentin ka vetëm një kontratë për ndriçimin publik, i cili ka të bëjë me mirëmbajtjen e tij në vendet ku tashmë ekziston ndriçimi.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, thotë se për dy vjet me radhë nuk ka pasur fare mirëmbajtje të ndriçimit në Prishtinë.

E ndarë në 7 loto, përmes kontratës së nënshkruar në qershor, ata po riparojnë ndriçimin në lagjet ku ekziston infrastruktura.

“Në mirëmbajtje është bërë më e mira, në shumë parkingje është kthyer ndriçimi, në shumë parqe, rasti i fundit është edhe Parku i Ulpianës, do të ketë edhe shumë intervenime të tjera edhe në Parkun në Dragodan, në Parkun e Qytetit, andaj intervenime jemi duke pasur rregullisht dhe është përmirësuar gjendja me ndriçim publik, megjithëse nuk ka pasur mirëmbajtje për dy vjet me radhë”, tha Musliu.

Por sa i përket zgjerimit të rrjetit të ndriçimit nëpër lagjet që nuk ka pasur asnjëherë ndriçim, për momentin nuk ka ndonjë kontratë.

Sipas Musliut, ata janë në proces dhe shumë shpejt pritet të nënshkruhet një kontratë e re.

Prioritet i tyre do të jenë lagjet të cilat ua ka rekomanduar edhe policia, si me rrezikshmëri më të lartë.

“Pjesa që qytetarët po kërkojnë të kenë ndriçim publik ka të bëjë me zgjerim të ndriçimit publik, për ta kuptuar më lehtë ka të bëjë me shtylla, ka të bëjë me kabllo, sepse aty nuk ekziston një infrastrukturë e tillë. Andaj me kontratën e re po presim që shumë shpejt të nënshkruhen, dhe do të dalim e do t’i trajtojmë me prioritet dhe seriozitet dhe ato lagje do të jenë me ndriçim publik. Brenda muajit nëntor do të nënshkruhen, qëllimi është që deri në fund të vitit të përmbushim kërkesat e qytetarëve”, tha Musliu.

Komuna e Prishtinës për vitin e ardhshëm ka ndarë vetëm 300 mijë euro për ndriçimin publik, e që, sipas tyre, kjo është një shumë prej 70 për qind më e madhe se që ka qenë këtë vit.