Mbi 1,000 vende të shpallura për specializime nga Ministria e Shëndetësisë në konkursin e fundit, por aty nuk ishte paraparë asnjë vend për farmacitë.
Konkursi që u mbyll javën e kaluar kaloi pa përfshirjen e kërkesës së Odës së Farmacistëve të Kosovës për shpalljen e disa vendeve për specializimet në fushën e farmacisë klinike, raporton KOHA.
Arianit Jakupi, Kryetar i Odës së Farmacistëvei thotë se edhe numri i vogël i farmacistëve klinikë që gjenden në QKUK nuk janë duke e kryer punën bazuar në specializimet që kanë.
Sipas Jakupit, farmacistët klinikë merren me mentorimin gjatë dhënies së terapisë tek pacientët.
Por Ministria e Shëndetësisë përmes një përgjigjeje me shkrim ka bërë të ditur se mungesa e mentorëve klinikë, ashtu siç kërkohet me Udhëzimin administrativ për shkollimin specialistik, ka qenë arsyeja kryesore që ky bord nuk ka mundur të hapë vende edhe për këtë fushë.
Megjithatë, MSH-ja ka thënë se kjo çështje do të diskutohet dhe do të shikohet për gjetjen e një zgjidhjeje.
KTV ka kërkuar përgjigje nga SHSKUK lidhur me numrin e farmacistëve klinikë dhe punën që ata kryejnë në klinikat dhe spitalet rajonale, por ky shërbim nuk ka dhënë detaje.
Barnatorja qendrore përmes një përgjigjeje vetëm ka thënë se në shërbimin farmaceutik janë të punësuar magjistër të farmacisë të kontraktuar për kryerjen e shërbimeve sipas detyrave të caktuara, duke mos dhënë detaje të tjera.