Arbëri

Mungesa e Ligjit për Fertilizim të Asistuar, spitalet private të amnistuara nga ndëshkimet

Ligji për Fertilizim të Asistuar do t’ia mundësonte Inspektoratit Shëndetësor që të mbikëqyrte punën e spitaleve private e i cili shërbim aktualisht është i mbuluar vetëm me Udhëzimin Administrativ. Udhëzimi parasheh gjobat për shkeljet, porse ato nuk mund të shqiptohen që nga viti 2016, kur është miratuar Ligji për Kundërvajtje. Në njërin nga nenet e tij thuhet se për asnjë çështje nuk mund të vendoset gjoba nëse me ligj nuk është përcaktuar sanksioni kundërvajtës

Qysh prej vitit 2016, kur në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për Kundërvajtje, shkeljet e konstatuara te një pjesë e shërbimeve shëndetësore nuk përfundojnë me masa sanksionuese. Me votimin e Ligjit të ri për Kundërvajtje është përcaktuar që gjoba nuk mund t’i shqiptohet asnjë institucioni në rast se nuk e parasheh ligji. 

“Askush nuk mund të dënohet për kundërvajtje apo t’i shqiptohet sanksioni kundërvajtës për veprën, e cila para se të jetë kryer nuk ka qenë e përcaktuar si kundërvajtje me ligj ose me akte (rregullore komunale) të Kuvendit të Komunës dhe për të cilën nuk ka qenë i përcaktuar sanksioni kundërvajtës”, thuhet në nenin 3 të Ligjit për Kundërvajtje.  

Një pjesë e sanksioneve në rast të shkeljeve për disa shërbime kanë qenë të rregulluara me Udhëzim Administrativ. Por, tash e tetë vjet këto shërbime kanë mbetur pa masa sanksionuese.

Shembull ilustrues në shëndetësi është shërbimi i Fertilizimit të Asistuar apo IVF. 

Aktualisht ky shërbim bëhet vetëm në sektorin privat. Por, ai është i rregulluar veç me Udhëzim Administrativ e që i bën sanksionet e parapara të pazbatueshme.

Në përgjigjen që MSH-ja ka dhënë javë me parë thuhet se arsyeja se pse kjo fushë do të duhej të rregullohej me ligj e jo me udhëzim administrativ qëndron pikërisht për faktin se aktualisht nuk parashihen sanksione.

“Kjo fushë ka qenë e domosdoshme të rregullohet me ligj për shkak se në bazë të Ligjit për Kundërvajtje (viti 2016) sanksionet kundërvajtëse nuk mund të shqiptohen me UA”, sqaron MSH-ja. 
E faktin se është e pamundshme të shqiptohen gjoba për shkelje për shërbimet që janë të rregulluara me UA e dëshmon një aktgjykim i Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me inspektimet në disa spitale private gjinekologjike. 

Vendimi që përmend Ministria kishte konstatuar që nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore për gjoba të tilla. Gjykata i është referuar vetëm Ligjit për Shëndetësi që rregullon në parim funksionimin e institucioneve shëndetësore, por nuk ka të paparapara gjoba, sidomos për shkeljet në procesin e Fertilizimit të Asistuar. 

“Në këtë kontekst gjykata erdhi në përfundim se asnjë dispozitë e çfarëdo akti nënligjor, e që në rastin konkret janë dispozitat ligjore në UA 06/2016 për Frytnimin e Asistuar Mjekësor, nuk mund të jenë në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi si akt më i lartë në hierarkinë juridike dhe i cili në rastin konkret, përmes nenit 96, paragrafit 1, të Ligjit për Shëndetësi, parashihet ndëshkimi me gjobë nga dy mijë në tetë mijë euro”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. 

Aktualisht në Ligjin për Shëndetësi nuk ka sanksione për shkeljet që mund t’i bëjë një spital privat për shëndetin riprodhues. Në mungesë të këtyre sanksioneve spitalet private mbesin të amnistuara nga dënimet e mundshme.