Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka hapur konkurs për rekrutimin e veterinarëve, por ka hasur në vështirësi në rekrutimin e kuadrove cilësore. Vetëm dy nga 32 aplikues kanë kaluar testin me shkrim. Edhe blegtorët thonë se ka mungesë të veterinarëve dhe kjo situatë është duke u shkaktuar probleme në zhvillimin e bizneseve të tyre
Për t’i kontrolluar bagëtitë që posedon në fermën e tij, Imri Pestisha në fshatin Bërnicë të Prishtinës, shpeshherë ballafaqohet me problemin si të gjejë veterinar.
Në Komunën e Prishtinës janë gjithsej dy veterinarë të licencuar që punojnë në terren. E kjo sipas Pestishës, është duke i shkaktuar probleme në zhvillimin e biznesit të tij.
“Ka raste kur duhet të intervenoj në mënyrë emergjente. Është e pamundur të vij në momentin e caktuar dhe fatkeqësisht mund të ndodhë edhe ngordhja e tyre. Është problem që nga paslufta dhe nuk mbaj mend që është diskutuar ndonjëherë sa kam njohurinë që të bëjnë zgjidhje, e kjo do të ndikojë në shuarjen e veterinës”, ka thënë ai.
Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë që është i vetmi institucion universitar që nxjerr kuadro të veterinarëve, nuk ka arritur të riakreditojë programin “Mjekësi Veterinare”. Mosarritja e funksionalizimit të objektit të ndërtuar para dhjetë vjetëve u bë shkas që fakulteti të mbetet me katër drejtime për regjistrimin e studentëve në vitin e ri akademik.
E mungesa e veterinarëve ka vështirësuar punën edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë. Madje ky institucion është duke hasur në vështirësi në rekrutimin e kuadrove cilësore.
AUV-i ka hapur konkurs për rekrutimin e gjashtë veterinarëve kufitarë. Në rezultatet e testit me shkrim që janë publikuar të hënën, nga 32 persona që i janë nënshtruar testit, vetëm dy e kanë kaluar.
Për këtë institucion situata është shqetësuese.
“Ne si autoritet nuk kemi asnjë të drejtë të flasim rreth cilësisë së universiteteve, janë mekanizmat e tjerë shtetërorë. Ajo çka është shqetësuese që në konkursin e fundit kanë kaluar pak persona testin me shkrim, do të thotë në njërin konkurs ka kaluar një, e në tjetrin dy”, ka thënë Lamir Thaçi, zëdhënës në AUV. “Kjo për ne paraqet një shqetësim, pasi ne kemi paraparë që të kemi numrin e mjaftueshëm të kandidatëve dhe ne kemi paraparë numrin e mjaftueshëm si e kemi kërkuar në konkurs”.
Për mosriakreditimin e programit si dhe për mungesën e kuadrove cilësore, në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë nuk ka treguar askush gatishmëri të prononcohet që nga 30 maji.
E, aktualisht i tërë vendi funksionon me 41 inspektorë të veterinarisë.
“Ne kemi mungesa në secilin sektor, kemi mungesa në sektorin e veterinarisë, në sektorin fitosanitar, e nuk kemi të rekrutuar asnjë inspektor për kontrollin e sigurisë të ushqimit. Inspektorët sanitarë të cilët e kanë mbuluar këtë pjesë kanë kaluar në Ministri të Shëndetësisë nga nëntori i viti të kaluar”, ka thënë Thaçi.
Pestisha, i cili është fermer që nga fillimi i viteve 2000, shpjegon se profesioni i veterinarisë është fitimprurës në vend.
“Matrikulli prej Ministrisë së Bujqësisë dhe vaksinimi një herë në vit prej Komunës është pa para, të gjitha intervenimet e tjera ne i paguajmë prej xhepit tonë. Si profesion i veterinës në këtë kohë që jemi duke jetuar, është shumë fitimprurës, sepse ka numër shumë të vogël sa u përket veterinarëve duhet të jenë 40 për t’i mbuluar gjithë lopët që i ka Komuna e Prishtinës”, ka thënë ai.