Arbëri

Mungesa e hidrantëve në Gjilan sjell vështirësi në intervenimet kundër zjarrit

Ditën e marte një objekt privat në qytetin e Gjilanit ishte përfshirë nga zjarri i cili më vonë është lokalizuar dhe është shuar nga njësia e zjarrfikësve.

Mirëpo në këtë intervenim i cili ka ndodhur në afërsi të lagjes “Dardania” janë shënuar dobësi. Për shkak të intensitetit dhe kohëzgjatjes së zjarrit ekipet e zjarrfikësve kanë pasur nevojë që të furnizohen me ujë nga një pikë e cila është më e afërt mirëpo kjo nuk ka qenë e mundur ngase brenda zonës urbane ka mungesë të hidrantëve.

Zjarrfikësit janë detyruar t’i lëvizin kamionët e tyre nga vendi i ngjarjes dhe të shkojnë në një pjesë të ndryshme të qytetit ku edhe i kanë mbushur cisternat e tyre me ujë dhe janë kthyer prapë në intervenim. Komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve në Gjilan, Rabit Murseli deklaron se numri i vogël i hidrantëve paraqet problem atëherë kur kemi të bëjmë me zjarret të cilat janë të mëdha. Ai ka folur edhe për intervenimin në shuarjen e zjarrit i cili ka ndodhur të martën.

“33 mijë litra ujë janë shpenzuar për shuarjen e atij zjarri. I kemi pasur tri automjete cisterna dhe vazhdimisht kanë shkuar dhe janë furnizuar me ujë dhe janë kthyer mbrapa. Jemi furnizuar me ujë tek Gllama dhe tek hidranti jonë që kemi para njësisë. Nuk ka hidrant në afërsi ku ka ndodhur zjarri”, ka thënë ai.

Thotë se instalimi i hidrantëve në qytet është një përparësi.

“Përparësia është se furnizohemi me lehtë me ujë dhe nuk ka nevojë që kamionët të lëvizin nga vendi po furnizohen aty për aty. Mirëpo shembull po e marrim tek ndërtesat kolektive nuk kanë askund hidrantë. Hidranti është i lidhur drejtpërdrejt me sistemin e ujësjellësit. Përmes hidrantëve brenda 5 minutave mbushet 5 mijë litra në cisternë”, ka thënë Murseli.

Ndërkaq drejtori për mbrojtje dhe shpëtim në komunën e Gjilanit, Sami Spahiu deklaron se në qytet ekzistojnë 8 hidrantë që janë funksional ndërkaq 19 hidrantë tjerë janë jofunksional. Ai ka thënë se ka kërkuar nga mekanizmat e tjerë që të ketë shtim të hidrantëve në qytet për rastet emergjente dhe se për këtë do të punohet në përgatitjen e një projekti që do të mbështete edhe nga komuna. Thotë se me hidrantët që nuk janë funksional duhet të merret edhe kompania e ujësjellësit “Hidromorava”. “Kemi 19 hidrantë që nuk janë funksional mirëpo është detyrë edhe e kompanisë “Hidromorava” që të punojë dhe t’i rifunksionalizojë. Kam kërkuar shtimin e hidrantëve në qytet dhe përgatitja e projektit do të merr pak kohë”, ka thënë ai.

Koha ka tentuar që të merr një përgjigje përmes telefonit edhe nga kompania e ujësjellësit “Hidromorava” mirëpo zyrtaret e kësaj kompania nuk janë përgjigjur thirrjeve.

Ndërkaq ende nuk dihet për shkaqet e shpërthimit të zjarrit në objektin privat. Policia ka dhënë një kronologji të rastit.

“Në Gjilan në një shitore me veshmbathje ka shpërthyer një zjarr. Pas marrjes se informatës patrullat policore, dhe njësitet e zjarrfikësve kanë dalë ne vendin e ngjarjes. Zjarrfikësit kanë filluar lokalizimin e zjarrit. Policia e Kosovës në perimetër të caktuar është kujdesur për sigurimin e vendit të ngjarjes dhe banorëve për rreth. Rreth orës 14:00 zjarrfikësit kanë arrite ta bëjnë lokalizimin e tërësishëm te zjarrit, nuk raportohet për të lënduar. Vlera e dëmit sipas pronarit është e konsiderueshme. Rrethanat e shpërthimit të zjarrit janë duke u hetuar”, thuhet në komunikatën e Policisë.