Mungesa e bashkëpunimit juridik me Serbinë dhe telashet me përkthyesit në gjuhën serbe, janë disa nga sfidat me të cilat po ballafaqohen gjykatat e Kosovws në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Kështu u tha në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK).
Në këtë takim u publikua edhe raporti me titullin “Gjykimet për krimet e luftës në Kosovë – Me çka ende ballafaqohen këto procese?”, ku si hap pozitiv paraqet rritja e aktakuzave për dhunimet seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovës.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli u shpreh se kriminelët e luftës në Kosovës duhet të vihen para drejtësisë.
Ai tha se tani Kosova ka infrastrukturë ligjore për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.
“Kriminelët e luftës duhet gjetur dhe sjell ta vuajnë dënimin për gjykimin në mungesë, është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm në raport me vënien e drejtësisë për viktimat dhe dënimin meritor për kriminelët. Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që janë kryer gjatë luftës në Kosovë nga shteti i Serbisë kanë lënë pasoja të thella jo vetëm për ata që i përjetuan drejtpërdrejt, por edhe për shoqërinë në përgjithësi…Për herë të parë qeveria ka priorituzuar krijimin e një dokumente strategjik për drejtësisë tranzicionale, e cila do të trajtoj shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe shkeljet e së drejtës humanitare ndërkombëtare”, theksoi ai.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare e ka konsideruar si hap pozitë rritjen e aktakuzave për dhunimet seksuale gjatë luftës në Kosovës.
“Gjatë këtij viti janë trajtuar gjithsej 35 raste të krimeve të luftës, prej të cilave 10 raste përmbajnë aktakuza apo akuza për dhunë seksuale si krim i luftës. Krahasuar me 25 vitet e kaluara ku janë trajtuar vetëm 4-5 të dhunës seksuale si krim lufte, rritja e aktakuzave për dhunën seksuale është hap pozitivë, pasi viktimat e dhunës seksuale kanë filluar të thyejnë heshtjen, të luftojnë stigmat dhe të raportojnë krimet në organet ndjekjes. Që nga përfundimi i luftës institucionet gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare, kanë dënuar rreth 74 persona për krimet e luftës në Kosovës dhe në anën tjetër janë vrarë rreth 10 mijë viktima civile...Gjatë vitit 2024, kanë filluar në faza të ndryshme janë proceduar në 34 lëndë kundër 98 pjesëtarëve të forcave serbe dhe një lëndë kundër 2 pjesëtarëve të UÇK-së. Këtu përfshihen edhe 14 aktakuza ndaj 72 pjesëtarëve të forcave serbe, pra aktakuza në mungesë“, theksoi ai.
Me qëllim të tejkalimit të sfidave nga FDHK-ja, kanë rekomanduar krijimin i një bashkëpunimi me gjyqësor rajonal dhe ndërkombëtarë, e në veçanti me shtetin serb dhe përkthimin e shkresave të luftës në gjuhën serbe, kur palët e përfshira janë nga ky komunitet.
“Të gjitha shkresat e lëndës të jenë të përkthyera në gjuhën serbe, kur të akuzuarit janë serb. Kjo do të mundësoj një proces gjyqësor më të drejtë dhe do të siguroj që të gjitha palët të kenë qasje të barabartë në informacionet e lëndës...Kjo veçanërisht është e rëndësishme pasi gjatë monitorimit e kemi parë se disa seanca fillestare janë shtyrë për shkak të mungesës së dokumentacionit të përkthyer...FDHK-ja tash e disa vite në rekomandimet vjetore e thekson domosdoshmërinë e vendosjes së bashkëpunimit juridik me Serbinë. Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet që në negociatat me Serbinë të vendoset bashkëpunim juridik ndërkombëtar”, u shpreh Alija.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama tha se Departamenti Special ka shënuar progres në trajtimin e lëndëve të krimeve të luftës. Sipas saj, gjyqtarët e Themelores janë të përgatitur profesionalisht për trajtimin e këtyre rasteve.
Por, Shabani-Rama theksoi se aspekti i përkthyesve dhe sidomos mungesa e bashkëpunimit juridik me Serbinë janë sfidat kryesore në trajtimin e këtyre rasteve.
“Sot besoj se jemi shumë më mirë se para 6 viteve...Ndryshimet e shpeshta në Departamentin Special, avancimet dhe pensionimet e gjyqtarëve, janë një nga sfidat kryesore të këtij departamenti, për shkak se nuk po mundemi me mbajt një lloj kontinuiteti mbi faktin se gjyqtarët duhet me pas një përgatitje profesionale specifike për trajtimin e këtyre rasteve, prandaj një trajnim i vazhdueshëm dhe efikas do të ishte nevoja më e domosdoshme.... Padyshim që mungesa e bashkëpunimit ndërkombëtarë është një nga sfidat më të mëdha edhe prokurorinë edhe gjykatës këtë e them sidomos me shtetin e Serbisë sepse aty gjendjen shumica e dëshmitarëve për të cilët i nevojitën gjykatës, por sidomos edhe provat materiale”, theksoi ajo.
Udhëheqësi i departamentit për krime lufte pranë Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, tha se nga vitit 2023 kanë bërë punë të konsiderueshme në adresimin e krimeve të luftës.
Sipas tij, janë ngritur 14 aktakuza në mungesë nga Prokuroria Speciale, derisa si sfidë edhe prokurori speciale, Morina identifikoi mungesë e përkthyesve.
“Gjatë vitit 2024 kemi ngritur 14 aktakuza ndaj 25 personave, vetëm në tre mujorin e parë të vitit 2025 kemi 4 aktakuza ndaj 6 personave....Sidomos nga viti 2023 kemi bërë punë të konsiderueshme në adresimin e krimeve të luftës se për vitin 2023-2024 kemi rreth 30 aktakuza që është numri më i lartë deri tani ndonjëherë i adresuar. Në total të aktakuzave që kemi ngritur janë 14 aktakuza në mungesë dhe kemi edhe 12 aktakuza të cilat vetëm se gjendjen në gjykatës të trashëguara nga UNMIK dhe EULEX dhe në total janë 26 aktakuza të cilat janë në mungesë dhe pritet të shqyrtohen.... Çështja e përkthimit ne e kemi sfidë të madhe adresimin e nevojës për përkthimin e çdo dokumente në gjuhën shqipe apo serbe ose anasjelltas për shkak të mungesës së përkthyesve”, tha ai.
Raporti për vitin 2024 me temën “Gjykimet për krimet e luftës në Kosovë – Me çka ende ballafaqohen këto procese?”, përfshinë të dhëna nga monitorimi i 108 seancave gjyqësore pranë gjykatave të Kosovës në 23 lëndë lidhur me aktakuza për krime lufte. Ky raport i Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë është i mbështetur nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe organizata Përkrahja e drejtësisë transicionale, dialogut dhe të kuptuarit historik (NED).