Sistemi shëndetësor publik në vend po përballen me mungesë të anesteziologëve. Në të gjitha institucionet shëndetësore publike punojnë 92 specialistë të kësaj fushe. Kurse, vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë, janë 51 anesteziologë. Ky numër i anesteziologëve po konsiderohet i pamjaftueshme për t’i kryer të gjitha shërbimet mjekësore që nevojiten.
Mungesën e këtij kuadri shëndetësor drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv Qendror, Gazmend Spahija, e konsideron emergjencë kombëtare.
Sipas tij, për të kryer të gjitha nevojat e pacientëve në QKUK, duhet të jenë 120 anesteziologë.
“Ne kemi informacion se 92 anesteziologë janë në sektorin publik, në sektorin privat janë 20, kështu derisa në qendrën klinike duhet me qenë 120 anesteziologë, ne i kemi në tërë Kosovën 112, kështu që është një numër shumë i vogël, Kosova qëndron shumë dobët për nga numri i anesteziologëve. Ne kemi diku 5.9 anesteziologë në 100 mijë banorë. Unë mendoj që anestezioni është emergjencë kombëtare, nuk mundemi t’i kryejmë të gjitha punët me një numër shumë të vogël të anesteziologëve”, theksoi Spahiju.
Ditë më parë në QKUK punën prej anesteziologu e ndërprenë dy profesionistë shëndetësorë. Kurse, pritet që edhe katër ose pesë të tjerë të largohen.
Doktor Spahija thotë se ngarkesa e madhe në punë dhe pagat e ulëta, janë shkaktarët kryesore që anesteziologët po ikin nga QKUK-ja, prandaj ai kërkon intervenim sa më të shpejt të institucioneve në rregullim të këtyre shqetësimeve.
“Në Klinikën e Anestezionit çdo vit numri i anesteziologëve zvogëlohet. Derisa në 2019 i kemi pasur 64 anesteziologë, tash në vitin 2022, për momentin i kemi 51, ju e dini që edhe ditët e fundit, javën e fundit dy anesteziologë e kanë lëshuar klinikën, kanë dal në sektorin privat, sa i përket numrit me staf jemi shumë të reduktuar”, theksoi ai.
Mungesa e këtyre mjekëve po shton listën e pritjes së pacientëve, pasi që kohët e fundit disa salla operative nuk po funksionojnë, pasi anesteziologët nuk po arrijnë të jenë prezentë në të gjitha sallat. /KSP