Arbëri

Mujka: S’do të lejoj të shfrytëzohem unë për t’u sulmuar sukseset e kryeministrit

Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i “Ibër-Lepencit” i cili është arrestuar e pastaj liruar për t’u mbrojtur në liri, pas dyshimeve për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka thënë se asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë.

Përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nuk do të pranojë të jetë pre e politikave partiake.

Mujka ka deklaruar se nuk do të lejojë të shfrytëzohet “për t’u sulmuar sukseset e Qeverisë dhe kryeministrit në veçanti”.

“Asnjëherë prej që jam pjesë e aktiviteteve politike nuk i kam ikur përgjegjësisë e drejtësisë dhe kjo do të vazhdoj derisa të frymoj. Por gjithsesi asnjëherë nuk do të pranoj të jem pre e politikave ditore e partiake dhe që unë të shfrytëzohem për t'u sulmuar e baltosur puna dhe sukseset e Qeverisë në përgjithësi dhe posaçërisht kryeministrit në veçanti”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se rruga që kanë marrë është e vështirë, por sipas tij, “caku dihet”.

“Rruga që kemi marrë është e gjatë, tepër e vështirë me shumë sfida u kurthe, por fatmirësisht është evidente se po shihet caku. Shumë vetë do të ndihen të turpëruar por mbi të gjitha edhe të çliruar nga puna e lodhshme e shërbyesit të djallit”, ka thënë ai.

Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj, të arrestuar një ditë më parë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishin në pozita udhëheqëse në Komunën e Mitrovicës, do të mbrohen në liri ka vendosur Gjykata Themelore në Prishtinë. Gjykata ka njoftuar se është refuzuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit.