Analisti Artan Muhaxhiri ka thënë se është e pakuptueshme se si nuk adresohen nga qeveritë kritikat e marra nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Raportit të Vendit.
Të mërkurën Kosovës i është dorëzuar Raporti i Vendit.
“Nëse vitin e kaluar ka pasur kritikë, është dashur Qeveria të bëjë ekip e t’i adresojë ato. Kjo është shumë shqetësuese. Sepse Qeveria mund të vazhdojë me kokëfortësi, por të njëjtat kritika do të përsëriten. Pa i zgjidhur s’mund të bësh avancim në rrugën drejt Evropës. Kot aplikon për t’u pranuar në BE nëse nuk i plotëson kërkesat standarde”, ka thënë Muhaxhiri në “60 Minuta” të KTV-së.
Ai ka thënë se është e çuditshme se si Qeveria po tenton “ta krijojë një realitet të ri tjetër”.
“I ke vazhdimisht deklaratat e amerikanëve, evropianë e tash edhe Raportin e Progresit që thotë një gjë dhe pastaj dalin qeveritarët e thonë diçka tjetër. Është qasje shumë e gabuar. Vetëm sa e thellon hendekun mes progresit e realitetit objektiv dhe imagjinatës që është e krijuar për qëllime politike. Kosova mund të bëjë lojëra politike, kjo si pengon BE-së. BE-ja funksionon shumë mirë pa Kosovën, por Kosova s’mund të funksionojë mirë pa BE-në. Rruga e vetme është drejt BE-së”, tha Muhaxhiri. “Mund të bësh lojëra çfarë të duash por mbetesh jashtë”.
Muhaxhiri ka thënë se çdo kryeministër duhet t’i di raportohet e forcave.
“Raporti i Kosovës me BE-në është i pakrahasueshëm. Normale Kosova s’ia imponon BE-së ndryshimin e kritereve, që janë objektive e që ka qenë për të gjitha vendet”, tha Muhaxhiri.
Ai ka thënë se edhe në rastin e sulmit në Banjskë, po të kishte pasur avancim të raporteve atëherë “Serbia do të mund të dënohej më tepër”.
“Mungoi ky harmonizim e ndërlidhje, ky bashkëpunim i Kosovës me BE-në dhe SHBA-në. E Serbia fiton kur Kosova i ka të dëmtuara raportet me aleatët”, ka thënë Muhaxhiri.
Ai ka thënë se Qeveria duhet të ndryshojë qasje.