Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se qasja e kryeministrit Albin Kurti sa i përket situatës në veri të vendit, është e gabuar dhe e destinuar të dështojë.
Sipas tij, Kurti që nga fillimi ka pasur problem me realizmin politik dhe se tani kur flet për sovranitetin në veri, flet sikur Kosova të jetë Gjermani apo Francë.
I ftuar të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Muhaxhiri ka thënë se Kurti mund ta shtrijë sovranitetin në mënyra tjera, duke u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare.
“Kryeministri Kurti prej fillimit ka pasur problem me realizmin politik, edhe tani kur flet për sovranitetin në veri, flet sikur Kosova të jetë Gjermani, Francë, apo Kinë e Rusi. Ne kemi pasur 24, 25 vjet probleme me sovranitetin në veri dhe është shumë naive që të tentohet që në këtë mënyrë të përmirësohet çështja e sovranitetit. Kjo qasje është e destinuar të dështojë sepse në veri e dimë të gjithë sa delikate është situata atje, sa pak nevojitet të eksplodojë dhe është një qasje që nuk mund të ketë sukses, prandaj bën më shumë dëm se dobi. Kurti mund ta shtrijë sovranitetin në mënyra tjera, si p.sh., duke u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare e në mënyrë indirekte edhe me Serbinë për ndonjë kompromis që nuk e cenon Kushtetutën e Kosovës, as ligjshmërinë ndaj serbëve të veriut. Kjo ndërhyrja brutale dhe e pakoordinuar nuk mund të sjellë sukses”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse Kosova i largon Forcat Speciale të Policisë nga komunat veriore, presioni ndërkombëtar do të zhvendosej drejt Beogradit, ndërsa me këtë qasje aktuale të kryeministrit, Muhaxhiri thotë se zgjedhjet e përgjithshme nuk janë larg.
“Nëse Kosova bën një hap pozitiv dhe i largon Forcat Speciale, presioni do të zhvendosej drejt Beogradit dhe pastaj nëse Beogradi bën probleme, gjithë fajësia do t’i mbetej. Me këtë qasje, nëse nuk ofron diçka konkrete në këto ditët e ardhshme, atëherë mendoj se zgjedhjet e përgjithshme nuk janë larg sepse nuk mund të vazhdojë të qeverisë nëse izolohet nga SHBA-ja dhe BE-ja”, është shprehur ai.
Muhaxhiri ka thënë se në këtë situatë, gjëja më e keqe që mund t’i bëhet Kosovës është izolimi.
“Izolimi është gjëja më e tmerrshme që mund t’i bëhet Kosovës sepse Kosova nuk e ka shtetësinë e përfunduar, nuk është anëtare e OKB-së, ka pesë vendet mosnjohëse të BE-së, nuk është në ndonjë organizatë, është në gjysmë të rrugës së krijimit të identitetit shtetëror dhe nëse në këtë gjysmë të rrugës izolohet, bllokohet dhe nuk ka progres, atëherë kemi prapakthim”, ka theksuar ai.