Arbëri

Muhaxhiri: Kurti duhet të bëjë kompromise të mëdha për të mbetur në pushtet

Analisti politik Artan Muhaxhiri ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ndodhet në një pozitë të vështirë dhe se për të siguruar vazhdimësinë në pushtet, duhet të bëjë kompromise të mëdha pas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Sipas Muhaxhirit, një nga opsionet për Kurtin është krijimi i një koalicioni me një parti shqiptare që do t’i siguronte 61 vota në Kuvend, duke shmangur kështu varësinë nga Lista Serbe. Megjithatë, ai thekson se retorika e ashpër e Kurtit ndaj oponentëve politikë gjatë kësaj periudhe mund ta vështirësojë këtë proces.

“Ka pasur fjalë të ashpra ndaj opozitës, prandaj tani i duhet të bëjë një kapërcim shumë të madh, edhe moral, edhe politik, nëse dëshiron të mbetet në pushtet. Në të kundërtën, duhet t’i respektojë afatet kushtetuese dhe t’ia kalojë procedurat partisë së dytë”, ka deklaruar Muhaxhiri në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas tij, reagimet e partive opozitare (PDK, LDK, AAK) tregojnë se një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje është pak i mundshëm, ndërsa në lojë, siç thotë ai, mbetet Nisma Socialdemokrate, e cila me tre deputetë mund të ndihmojë LVV-në të arrijë shumicën parlamentare me mbështetjen e komuniteteve joshumicë.

“Nëse ndodh një koalicion mes një partie të madhe dhe një partie të vogël, kjo shpesh nuk funksionon, pasi partia e vogël bëhet faktor vendimtar, edhe pse ka numra modestë. Në këtë rast, Fatmir Limaj do të kishte një pushtet të madh”, ka theksuar Muhaxhiri.

Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 48 deputetë pas certifikimit të rezultateve, PDK-ja 24, LDK-ja 20 e koalicioni AAK-Nisma me tetë deputetë.