Arbëri

Muhaxheri: Njerëz të caktuar në politikë po pengojnë realizimin e “Boreas”

Gazmend Muhaxheri

Prishtinë, 3 janar (KosovaPress) - Pas një periudhe të gjatë, në shtator të 2018-s kishte nisur puna për ndërtimin e kompleksit rekreativo-sportiv “Borea” në Pejë. Kjo qendër që është vetëm 900 metra larg qytetit të Pejës e që parashihte të punësonte rreth 500 persona qysh në vitin e parë të funksionimit të saj. Punimet për këtë qendër u ndërprenë për arsye të pezullimit të lejes së ndërtimit nga Ministria e Ambientit gjatë Qeverisë Haradinaj.

Arsye se pse ky projekt ka ngecur për kryetarin e kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, është politika. Ai thotë se Ministria vonoi me procedurat për kalimin e zoonimit të parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna” në Qeveri e Kuvend.

Megjithatë, pengesat, Muhaxheri thotë se i kanë shkaktuar njerëz të caktuar të politikës.

“Prapë kemi problemin me Ministrinë e Planifikimi Hapësinor (më vonë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit) e cila përkundër obligimeve ligjore që ka pasur që tetë vite nuk e ka kaluar zoonimin e projektit nacional ‘Bjeshkët e Nemuna’ dhe tash kjo po paraqitet si pengesë dhe pse nuk ishte dashur të ishte pengesë, unë besoj që më tepër është pengesë politike e caktuar prej njerëzve të caktuar në këtë ministri për të penguar komunën e Pejës në realizimin e projektit madhor që nuk është vetëm për komunën e Pejës, por ka impakt edhe për komunën e Klinës, Deçanit, Istogut e besoj edhe të Junikut”, tha Muhaxheri.

Muhaxheri ka shpresë në qeverinë e re dhe ministrat e rinj që ta shtyjnë përpara këtë projekt.

“Komuna është para një sfide të madhe sepse më në fund pas 8 vjetëve plani i zoonimit të parkut nacional ka shkuar në Qeveri, prej aty është përcjellë në parlament dhe tash falë rrethanave që po paraqiten nuk do të mund të votohet dhe duhet të pritet qeveria e ardhshme, vullnetin e zyrtarëve të rinj dhe ministrave të rinj në ministri për të çuar përpara”, deklaroi Muhaxheri.