Arbëri

Muhaxheri lirohet nga Gjykata, pala e dëmtuar akuzon gjyqtarin për anshmëri

Për 4 vjet rresht, Hysni Selmanaj ka pasur një betejë gjyqësore me kryetarin e komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Por, këtë javë, Gjykata Themelore në Pejë hodhi poshtë aktakuzën ndaj kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, cili akuzohej për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore, raporton KTV.

Që nga viti 2015, kur Selmanaj fillimisht ishte pezulluar nga pozita e drejtorit të Auditorit të Brendshëm e më pas larguar nga puna, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës mori vendim që ta kthejë atë në punë, por që ky vendim nuk u zbatua nga kryetari i komunës.

E, një sërë vendimesh të tjera të Gjykatës Themelore në Pejë dhe Apelit, gjithashtu dhe gjobat, të cilat arrinin deri në 10 mijë euro për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore nga ana e kreut të Komunës së Pejës, nuk i mjaftuan Gjykatës në Pejë e cila e hodhi si të pabazuar këtë aktakuzë.

Në vendimin e gjykatës së Pejës thuhet se pushohet procedura penale ndaj Gazmend Muhaxherit, për shkak se veprimet e të pandehurit nuk përbëjnë vepër penale dhe nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer këtë vepër penale.

“Hidhet aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë e datës l7.7.2017 dhe pushohet procedura penale kundër të pandehurit G.M, për shkak të veprës penale: mosekzekutim i vendimeve gjyqësore, sepse veprimet e të pandehurit nuk përbëjnë vepër penale dhe se nuk ka prova të mjaftueshme për t’i mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i pandehuri e ka kryer këtë vepër penale, për të cilën akuzohet”, ka thënë Gjykata Themelore në Pejë.

Por, Selmanaj thotë se nuk do të ndalet me kaq.

Ai vë në dyshim paanësinë e sistemit të drejtësisë duke thënë se gjyqtarit, i cili hodhi këtë aktakuzë ndaj kryetarit Muhaxheri, iu punësua vajza si arsimtare në një shkollë të komunës së Pejës.

Zyrtarë të Komunës së Pejës kanë konfirmuar se vajza e gjyqtarit, Sejdi Blakaj, ishte punësuar një vit më parë si zëvendësim në një shkollë në Vitomiricë të Pejës dhe se kjo nuk ka lidhje me këtë vendim. Ata insistojnë se komuna nuk ishte fajtore në këtë rast gjyqësor.

KTV-ja ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga gjyqtari, Sejdi Blakaj, por ai nuk ka dashur të komentojë as vendimin gjyqësor e as rastin e punësimit të vajzës së tij.