Arbëri

Muhaxheri: LDK-ja ka shumë gjeneralë

Prishtinë, 26 dhjetor (KosovaPress) - Kandidatët e tyre për udhëheqësit e institucioneve ende nuk i kanë caktuar të gjitha partitë politike, përveç PDK-së që tashmë e ka zyrtarizuar kandidatin për kreun e Qeverisë.

Emrin e kryeministrit nuk e ka as LDK-ja. Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, thotë se në partinë e tij ka shumë gjeneralë por njëri duhet t’i prijë në zgjedhje si kandidat për kryeministër e të tjerët duhet ta mbështesin.

Ai thotë se shkuarjen në zgjedhje të reja e kishte paraparë vetë kryeministri Avdullah Hoti, kjo jo për arsye të vendimit të Kushtetueses, por për shkak të përçarjes brenda koalicionit qeverisës.

Muhaxheri gjatë një interviste për KosovaPress ka folur edhe rreth asaj se ku e sheh të renditur LDK-në në zgjedhjet e ardhshme dhe se a do të ketë koalicione parazgjedhore si dhe përplasjet e Vjosa Osmanit me kryetarin Isa Mustafa dhe për kandidatin për kryeministër nga LDK.

“Nuk e kam pritur vendimin e gjykatës mirëpo prej kryeministrit jam informuara që Qeveria nuk mundet të kalojë janarin dhe duhet të përgatitemi për zgjedhje. Besoj që ka qenë jo prej Gjykatës Kushtetuese por e ka pa që koalicioni që nuk po mundet me ec më tutje dhe besoj që ka qenë i vetëdijshëm që po shkojmë drejt zgjedhjeve”, tha Muhaxheri.

Ai preferon që LDK-ja të hyjë e vetme në zgjedhje, kjo për të parë nëse drejtuesit aktualë të partisë e kanë mbështetjen e elektoratit.