Analisti politik, Artan Muhaxheri, ka thënë se partitë politike është dashur të kenë qasje më të avancuar, të emancipuar dhe më të konkretizuar në fushatën elektorale. Sipas tij, besimi i qytetarëve në fjalët e politikanëve, ka humbur.
Ai ka thënë se partitë politike kanë dhënë premtime të njëjta si herëve të tjera dhe kjo për të është absurde.
“Është një zhgënjim i përgjithshëm, edhe i parashikueshëm, sepse nuk ka një përgatitje të partive politike për këtë fushatë në raport me kohën dhe në raport me nevojat e qytetarëve. Ajo çka është absurdi më i madh është se ende kemi kësi premtime të mëdha me miliarda euro, objekte infrastrukturore, rritje enorme të pagave, derisa baza e fushatave normale në botë është kategorizimi i elektoratit dhe qasja e veçantë ndaj kategorive të ndryshme”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta”.
Muhaxheri ka shtuar se diskursi i kryeministrit Albin Kurti dhe partiakëve të tij gjatë fushatës “ka qenë mënyra e vetme që ai të dalë në zgjedhje, sepse përndryshe do të duhej të ballafaqohej me të gjitha dështimet e katër vjetëve të qeverisjes së tij”. Ai ka thënë se për shkak se nuk kanë çfarë të tregojnë se kanë bërë gjatë mandatit, kandidatët e Vetëvendosjes po refuzojnë të marrin pjesë edhe në paraqitje televizive.
“Do të kenë problem me elektoratin kritik që ua ka dhënë votën para 4 vjetëve”.
Por, ka theksuar se edhe partitë e tjera politike është dashur të vinë me qasje ndryshe në fushatë.
“Ndoshta duhet që kjo gjeneratë e politikanëve të shkojë dhe të vijë një tjetër sepse aktualisht është një lloj mish-mashi i disa njerëzve që kanë mbetë nga e kaluara, disa të rinjve pa përvojë, disa njerëzve që kanë qenë në qeveritë e kaluara, tash edhe Qeveria Kurti me njerëzit që e kanë nga një stigmë për shkak të këtij 4-vjeçari. Nuk mund të dalë asnjë ministër i Qeverisë Kurti dhe të thotë ‘unë kam bërë çfarë s’ka bërë askush’. Por, edhe opozita është dashur të jetë më kreative”, është shprehur ai.
Muhaxheri ka potencuar se fushata elektorale “nuk është në përputhje me nevojat e qytetarëve”.