Arbëri

MSH-ja u kërkon distributorëve më shumë maska e pajisje të tjera për klinika

Mungesa e madhe e mjeteve higjienike për parandalimin e koronavirusit ka shtyrë Ministrinë e Shëndetësisë që të kontaktojë drejtpërsëdrejti me distributorët dhe me furnizuesit e këtyre pajisjeve në Kosovë.

Kjo ministri ia ka dërguar një listë me kërkesat e saj për furnizim tremujor Shoqatës së Distributorëve, raporton KOHA.

Në listën e kërkesave prijnë: dorëzat, maska më afatgjate dhe maska për një përdorim.

Rreth 780 mijë copa dorëzash MSH-ja ka kërkuar nga furnizuesit që t’u sigurojnë vetëm për mjekët dhe stafin që punojnë në SHSKUK. Derisa mbi 3 milionë copë janë kërkuar për gjitha institucionet shëndetësore.

Gjithashtu janë kërkuar mbi 200 mijë veshje mbrojtëse me dorëza, çizme dhe pjesë përcjellëse.

Ky institucion ka kërkuar gjithashtu mbi 3 mijë dorëza kirurgjikale sterile, ndërsa mbi 100 mijë litra dezinfektues për duar.

Për tre muajt e ardhshëm MSh-ja gjithashtu thotë se i duhen 100 termometra për matje të temperaturës, ku 50 prej tyre do të dërgohen në SHSKUK.

E për të ruajtur higjienën brenda klinikave MSh-ja ka kërkuar rreth 10 mijë çarçafë për një përdorim.

Kryetari i Shoqatës së Distributorëve të Kosovës, Milaim Abdullahu, thotë se me gjithë telashet që kanë fabrikat e prodhimit përmes së cilave distributorët në Kosovë furnizohen, ata do të mundohen t’i dalin në ndihmë MSH-së.

Por Abdullahu ka kërkuar nga qytetarët që të mos blejnë sasi të mëdha të barnave, sidomos të antibiotikëve, pasi që distributorët e barnave në Kosovë kanë mjaftueshëm nëpër stoqe.

Paraqitja e rasteve të para me koronavirus në Kosovë ka shpërfaqur mungesën e materialit shpenzues të domosdoshëm për higjienën dhe ruajtjen nga përhapja e virusit në institucionet shëndetësore.