Arbëri

Komercialja i jep të drejtë kompanisë që ofertoi me çmim 300% më të lartë sesa ai i tregut

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë rrezikon t’i humbë 300 mijë euro për shkak se Gjykata Komerciale ka vendosur në favor të një kompanie farmaceutike. Kjo kompani pati ofertuar me çmim 24 euro për barin që në treg asokohe mund të blihej edhe me 5 euro. Tash gjykata ka konstatuar që tenderi ishte anuluar jashtëligjshëm

Gati 300 mijë euro do t’i humbë Ministria e Shëndetësisë nëse shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale e konfirmon vendimin e shkallës së parë, përmes të cilit i jep të drejtë një kompanie farmaceutike, që pati ofertuar për një lloj bari për të sëmurët me kancer me çmim gati 300 për qind më të lartë sesa të tregut.

Në vitin 2017, Ministria e Shëndetësisë e pati gati për nënshkrim një kontratë. Çmimi i ofruar i produktit ishte rreth 24 euro. Por siç ka raportuar asokohe “KOHA”, përmes dokumentarit “Depoja e Keqpërdorimit Farmaceutik” i njëjti produkt në barnatore mund të blihej me 5, 6 dhe 7 euro. Dokumentari i KOHËS përmendet në aktgjykim.

Inspektorati Farmaceutik ka bërë hulumtim të tregut dhe ka konfirmuar të dhënat e publikuara në KOHA. Me pas ky tender por edhe të tjerë u anuluan.

Pavarësisht se vetë MSH-ja ka konfirmuar asokohe çmimin abuziv, shkalla e parë e Komerciales vlerëson se në atë fazë nuk pati të drejtë ta anulonte tenderin.

Përveç kësaj, Komercialja ka konstatuar se hulumtimi për çmimet e këtij produkti nuk është dashur të bëjë Inspektorati, i cili është përgjegjës për tregun farmaceutik, por të dhënat të merren në Agjencinë e Statistikave.

“Statistikat për çmimet në treg të produktit ‘imatnib Mesylate’ është dashur t’i marrë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës sipas udhëzimit të KRPP”, thuhet në konstatimin e Komerciales.

Ky tender pati vlerë rreth 650 mijë euro. Pas anulimit, ky produkt nuk ishte blerë me 24 euro, por me rreth 3 euro. Pra, i gjithë tenderi rreth 80 mijë euro.

Vendimi i gjykatës është bazuar në ekspertizën financiare. Në ekspertizë, qartazi tregohet se çmimi me të cilin është blerë fillimisht produkti është 5 euro e MSH-së është tentuar t’i shitet me 24.

“Nga plotësimi i ekspertizës financiare të datës 03.07.2023, eksperti financiar ka konstatuar se bazuar në faturën e datës 06.09. 2018 çmimi për tabletë i barit Imatinib Mesylate ka qenë 5.67 dhe kësaj shume i është shtuar marzha e fitimit prej 38.3 të cilën do ata kishte subjekti furnizues i paditësit me çfarë ka rezultuar në çmimin total prek 7.85 euro për tabletë të barit “Imatinib Mesylate” apo kostoja totale për sasinë e këtij aktiviteti të prokurimit në shumë prej 211,950 mijë euro dhe vlera prej 43, 605 në emër të tatimit të fitimit nga çka për paditësin do të mbetej fitimi në vlerë prej 392, 45 euro”, thuhet në vendimin e Komerciales.

Nëse një vendim i tillë do të bëhet i plotfuqishëm nga shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale, kjo i bie që të vendoset një standard i ri në fushën e blerjes së barnave, kjo për shkak se ministri e sekretari edhe nëse kanë dyshime për keqpërdorime nga hallka të tjera, nuk kanë të drejtë ta ndalojnë nënshkrimin e një tenderi. E nëse e bëjnë një gjë të tillë do të detyrohen t’ia paguajnë kompanisë fitimin e humbur.

KOHA ka kontaktuar Gjykatën komerciale dhe nuk janë përgjigjur konkretisht, por kanë thënë se kërkimi i llogarisë për këtë vendim, është presion dhe ndërhyrje në punën e gjyqtarit.

KOHA në vitet 2017 dhe 2018 pati publikuar hulumtime për abuzimin me çmimet e barnave.