Arbëri

MSH-ja s’e realizon planin për blerjen e aparaturave në vlerë 50 milionë €

Janë bërë rreth 6 vjet që kur po diskutohet për milionat që duhen investuar për aparaturat e spitaleve publike. Një studim i fizibilitetit i kryer më 2017 e pati potencuar nevojën për 54 milionë euro investime, porse kostoja u kualifikua si e ekzagjeruar nga Qeveria e atëhershme. Që atëherë u investua pak e pati kryesisht donacione gjatë pandemisë. Një tjetër studim fizibiliteti u realizua edhe më 2019, që konstatoi se duhen 42 milionë euro investime në aparatura, porse kësaj radhe Ministria e Shëndetësisë ka në dispozicion një buxhet prej 6 milionë eurosh

Mbi katër vjet më parë Ministria e Shëndetësisë pati njoftuar publikisht se ka plan të qartë investimi në aparatura të reja për shtatë spitale rajonale e për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Bazuar në këtë plan të vitit 2019, në këto spitale do të investoheshin rreth 54 milionë euro, kosto kjo që ishte përcaktuar bazuar në një studim të fizibilitetit, të financuar nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor, e që gjendjen e aparaturave e pati përshkruar si të rëndë.

Që atëherë, Ministria e Shëndetësisë nuk e ka realizuar një plan konkret të investimeve në aparatura, përjashtuar ato që iu dhuruan spitaleve publike gjatë pandemisë COVID-19. E në një përgjigje me shkrim për KOHËN, nga kjo ministri thanë se kostoja për investime ka rënë për rreth 10 milionë euro.

“Meqenëse gjatë pandemisë janë siguruar pajisje për institucionet shëndetësore në vlerë diku rreth 10 milionë euro, Ministria e Shëndetësisë ka angazhuar në vitin 2022 ekspertin e jashtëm për përditësimin e studimit të fizibilitetit. Studimi i përditësuar është aprovuar edhe nga mekanizmat e Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Ministria e Shëndetësisë mbi bazën e studimit të përditësuar ka hartuar dhe miratuar planin strategjik për zbatimin e studimit të fizibilitetit 2023-2026. Kostoja e zbatimit të studimit të fizibilitetit është 41.067.355 euro”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

Por në Ministri nuk treguan nëse është bërë një plan se prej ku do të sigurohen paratë për blerjen e tyre, teksa në dispozicion janë veç 6 milionë euro, të mbetura nga një kredi.

“Sa i përket zbatimit të planit strategjik për zbatimin e studimit të fizibilitetit, aktualisht kemi konfirmimin nga CEB-ja për shfrytëzimin e 6 milionë eurove të mbetura nga kredia për përballje me COVID-19, si dhe janë duke u diskutuar alternativat për financimin e plotë të Planit strategjik për studimin e fizibilitetit 2023-2026, sipas opsioneve të ofruara nga MFT”, thuhet tutje në përgjigje.

Investimi prej 50 milionë eurosh në aparatura të spitaleve publike është identifikuar si nevojë e kamotshme. Më 2017 ishte bërë edhe një studim fizibiliteti në kohën e Qeverisë Mustafa. Asokohe, analiza e hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar iu nënshtrua edhe vlerësimit nga fondacioni amerikan “Project Hope”. Realizimi i blerjes së aparaturave u cilësua si parakusht për fillimin e zbatimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore.

E Qeveria Haradinaj nuk e pati pranuar këtë raport si të mirëqenë, duke e ngritur dyshimin se nevojat për investime në aparatura janë më të vogla, por studimi tjetër i fizibilitetit i vitit 2019 pati nxjerrë një kosto të përafërt financiare.