Arbëri

MSH-ja s’e futi në Listë Esenciale barin që mjekët thonë së e përdorin 40 paciente me kancer të gjirit

Klinika e Onkologjisë dhe Ministria e Shëndetësisë kanë dhënë interpretime të ndryshme për atë nëse bari Valamar për pacientët me kancer duhej ose jo të përfshihej në Listën Esenciale. Në Klinikën e Onkologjisë kanë thënë se ky bar ose një tjetër i ngjashëm duhej të ishte pjesë e listës. E në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se, sipas ekspertëve të OBSH-së, ky bar nuk konsiderohet kosto-efektiv për shtete si Kosova. Në listat bazë të shteteve të rajonit ky bar është i përfshirë

Ministria e Shëndetësisë dhe Klinika e Onkologjisë kanë dhënë interpretime të ndryshme për mospërfshirjen e barit Ribociclib apo Valamor në Listën Esenciale, e përfunduar ditë me parë.

KOHA të premten ka raportuar se një paciente e diagnostikuar më kancer të gjirit është detyruar të futej në kredi 20 mijë euro për të siguruar këtë bar, meqë Ministria e Shëndetësisë as në të kaluarën e as tash nuk e ka përfshirë në Listë Esenciale.

Të dy institucionet u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS, pas transmetimit të kronikës në KTV.

Në përgjigjën e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet që ky bar nuk është përfshirë në Listën Esenciale për shkak të kostos së lartë financiare. Po ashtu thuhet se në Listën Esenciale janë edhe 14 produkte që përdoren për këtë indikacion në stade të ndryshme.

“Futja e ribociclib ne listën e produkteve mjekësore do ta rriste dukshëm koston e listës (rreth 1.2-1.7 milionë euro sipas çmimit të tregut në shtetet e rajonit dhe duke llogaritur numrin e pacienteve të cilët janë kandidate për ketë terapi në Kosovë). Në listën esenciale të barnave të OBSH-së është refuzuar futja e këtij bari në listë për disa arsye, duke përfshirë edhe faktin se ky bar nuk konsiderohet kosto-efektiv sidomos për vendet me buxhet të kufizuar, sipas ekspertëve të OBSH-së”, thuhet në përgjigjën Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sipas MSH-së, Lista Esenciale do të jetë dinamike dhe së do të përditësohet me rritjen e buxhetit.

Pacientja ditë me parë i tha KOHËS se më nuk ka barna dhe nuk e di se si do të vazhdojë trajtimin. Bari që nuk është përfshirë në listë ka kosto rreth 3 mijë euro, të cilin duhet ta sigurojë vetë pacienti.

“E kishin nënshkruar Listën Esenciale, për të cilën kam shpresuar shumë.

Nuk e di se kah me ja majtë, çka me ba. Kur bie me fjet, them çka me bo për nesër që nuk kam barna”, u shpreh ajo.

Në përgjigjën e onkologut Faton Sermaxhaj, i cili ishte përfaqësues i Klinikës së Onkologjisë në revidimin e Listës Esenciale, thuhet që është propozuar ky bar dhe një tjetër me efekt të ngjashëm, në mënyrë që komiteti revidues të zgjidhte njërin, varësisht nga kosto-efektiviteti. Në listë nuk është përfshirë asnjëri. Shton se vlerësimi është se njëri duhej të ishte.

“Ne ende mendojmë që së paku njëri nga këto dy barna do të duhej të ishte në LE, por derisa të bëhet kjo ne do të vazhdojmë të bëjmë zgjidhjen më të mirë të mundshme me skema të tjera të kimioterapisë, për këta pacientë”, ka deklaruar Sermaxhaj.

Ai ka treguar se aktualisht janë 40 pacientë të Klinikës së Onkologjisë që trajtohen me këtë lloj bari, por numri i atyre që kanë nevojë është më i madh.

Në të gjitha listat e barnave spitalore të shteteve të rajonit, në të cilat ka pasur qasje KOHA, ky bar është i përfshirë.

Në faqen e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor në Shqipëri është i publikuar një dokument i titulluar Lista e Barnave që Tregtohen në Farmacitë e Spitaleve 2023. Aty është i përfshirë ky bar.

Serbia ka kategorizim tjetër të barnave spitalore. Në atë që kategorizohet Listë C, është i përfshirë ky bar. Aty përshkruhen indikacionet se për çka përdoret, por thuhet se bari jepet bazuar në mendimin profesional të tre mjekëve të institucione shëndetësore të përshkruara.

Në një dokument të Malit të Zi, i quajtur Lista Bazë e Barnave, ky bar është i përfshirë. Njëjtë edhe në Kroaci.

Lista Esenciale në Kosovë historikisht nuk është reviduar në mënyrë sistematike. Në periudhën 2013-2019 nuk kishte adaptim të listës. Për herë të fundit është përmbyllur javë më parë. Barnat që futën në Listë Esenciale janë obligative për kontraktim nga ana e institucioneve shëndetësore.