Arbëri

MSH-ja nuk e di datën kur do të fillojë dhënia e dozës së tretë

Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar që së shpejti do të jepet doza e tretë e vaksinës dhe ajo përforcuese kundër Covid-19, por nuk kanë treguar datë të saktë se kur do të fillojë.

MSH-ja ka bërë të ditur se doza e trete do jepet për personat të cilët kanë marrë dy doza fillestare të vaksinës kundër COVID-19, jo më herët se 8 javë pas marrjes së dozës së dytë dhe jo më vonë se 6 muaj.

"Komiteti për imunizim kundër COVID-19 e ka trajtuar me kohë çështjen e dozës përforcuese dhe dozës së tretë dhe vendimi do të merret në momentin e përshtatshëm. Ky moment është tani dhe vendimi do të jetë i shpejtë dhe i studiuar. Duke qenë që Kosova ka filluar më vonë se shtetet e tjera në rajon me vaksinimin, nuk është as vonë e as prapa për administrimin e këtyre dozave, madje me procesin e vaksinimit ka kaluar shumë shtete", thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Për dozat përforcuese, sipas MSH-së, prioritet do të jenë kategoritë e ndjeshme dhe ato me imunitet të dobët.

Ndërkohë, në sallën “1 Tetori”, qytetarët kanë thënë se janë kundër vaksinimit me detyrim, dhe se dozën e tretë nuk e preferojnë ta marrin.

“Arsyeja që tash e mora vaksinën është se as me autobus nuk mundesh me udhëtu, as në qendrat tregtare nuk mundesh me shku. Erdha që ta marr sepse më duhet të udhëtoj, të shkoj në punë. Me dëshirë nuk e kisha marrë”, ka thënë një qytetare e vaksinuar sot.

“Nëse vendoset se duhet medoemos po, përndryshe me qejf jo, s’ka nevojë”, ka shtuar qytetari tjetër, Naim Januzi.

E AUV-i thotë se ka vazhduar monitorimin e zbatimit të masave. Sipas zëdhënësit Lamir Thaçi, në javën e fundit janë mbyllur në mënyrë të përkohshme 24 biznese si pasojë e mosrespektimit të masave anti-Covid.

Thaçi ka theksuar se më së shumti shkelje të masave ka nga bizneset e gastronomisë.

“Në bazë të dhënave dhe raportimeve që kemi marrë nga terreni është një zbatueshmëri e mirë e masave dhe kjo ka quar deri tek rënia e numrit dhe situatës aktuale që kemi në vend. Dhe jemi liderë në rajon e ndoshta edhe në Evropë sa i përket numrit të vogël të të infektuarve dhe kjo vjen si rezultat i zbatueshmërisë së masave nga qytetarët, bizneset dhe nga mbikëqyrja efektive që është duke ndodhur nga inspektorati dhe Policia”, ka deklaruar Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV-it.
Masat e reja për parandalimin e virusit Covid-19 kanë hyrë dje në fuqi. Në kuadër të masave, të gjithë personat mbi 12 vjeç do të duhet t’i ofrojnë dëshmitë e vaksinimit me dy doza për udhëtim me mjetet e transportit publik dhe atij privat, si dhe për hyrje në qendrat tregtare dhe lokalet e gastronomisë.