Arbëri

Ministria e Shëndetësisë eliminon konkurrencën nëpërmjet interpretimit të gabuar të ligjit

Ministria e Shendetesise

Nëpërmjet një kontrate për objektin e Emergjencës, të cilin e lidhi pa garë të hapur prokurimi, Ministria e Shëndetësisë ka krijuar standardin e eliminimit të konkurrencës gjatë adaptimit të projekteve. E ka bërë këtë nëpërmjet një interpretimi të gabuar të Ligjit për të Drejtat e Autorit. Interpretim ndryshe nga Ministria kanë dhënë ekspertët, por edhe vetë kompania fituese

Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka eliminuar konkurrencën gjatë adaptimit të projekteve për objekte spitalore, duke u shërbyer me një interpretim të gabuar të Ligjit për të Drejtat e Autorit.

Standardin e ka vendosur në rastin e adaptimit të projektit të objektit të Emergjencës, të cilin e ka bërë pa garë të hapur prokurimi.

Planin për ndërtimin e këtij objekti, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, mund ta bëjë vetëm kompania “Alb Architetc”, nën arsyetimin se këtë ia imponon Ligji për të Drejtën e Autorit. Sipas këtij institucioni, interpretimi e ka bazën në një opinion të USAID-it.

MSH-ja ka dhënë fare pak detaje pas pyetjeve specifike të cilat KOHA ia ka adresuar, ndërkaq USAID-i nuk i është përgjigjur fare për këtë çështje

Në një përgjigje tjetër Ministria është tërhequr nga arsyetimi se interpretimi është diktuar nga opinioni i USAID-it. Ky institucion ka “këshilluar” KOHËN që për çështje të Ministrisë së Shëndetësisë të mos e kontaktojnë organizatën ndërkombëtare.

“Ju informojmë se interesimet tuaja për të gjitha çështjet të cilat janë në përgjegjësi të MSh-së duhet t’i drejtoni te ne ashtu që ne edhe do të përgjigjemi. Këshilltarët e DAI-t nuk janë përgjegjës për asnjë aktivitet të MSH-së. Në komunikim me ju, stafit tonë i është përvjedhur një lëshim ku iu kemi referuar një opinioni të këshilltarëve të USAID-it, andaj kërkojmë ndjesë nëse kjo ka ndikuar në mbarëvajtjen e komunikimit me ju”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Në Ministrinë e Shëndetësisë insistuan se adaptimi i projekteve nuk mund të bëhet nga të tjerët dhe për këtë morën shembullin e kompanisë “Alb Architect”.

“Çdoherë kur ‘pronari i projektit’ (në ketë rast është MSH-ja) mund ta ndërtojë një spital tjetër në ndonjë vend tjetër, duke e shfrytëzuar apo ekzekutuar projektin e njëjtë, i cili edhe në këtë rast është vepër ekskluzive e autorit, projektuesit për të cilin pastaj autori ka të drejtën ekskluzive në kompensim shtesë për projektin të cilin e ka hartuar ai dhe përsëri projektuesi është autori i veprave arkitektonike të ndërtuara dhe në asnjë ndërtim të riprodhuar apo rindërtuar nuk mund të bëhen ndryshime, përveçse nga autori fillestar apo pa miratimin e tij, në rast se autori fillestar nuk dëshiron apo nuk ka vullnet të bëjë ndryshime apo adaptime”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Nëpërmjet disa emaileve, KOHA ka kërkuar nga Ministria sqarime ligjore në lidhje me lidhshmërinë që ky institucion ia ka bërë Ligjit të Prokurimit me Ligjin për të Drejtën e Autorit, por nuk janë dhënë përgjigje.

E vetë kompania “Alb Architect”, që është nënshkruese e kontratës, nuk e mbështet interpretimin e Ministrisë. KOHA e ka pyetur atë nëse ka pasur ndonjë pikë në kontratat paraprake që kompanitë e tjera nuk mund të mbipunojnë në punën projektuese të saj dhe ajo e ka mohuar.

“Me ligj të prokurimit nuk mund të ketë një pikë të tillë’, kanë thënë në këtë kompani.

E Valon Kashtanjeva, ekspert për të drejtat pronësore intelektuale, e mohon që të drejtat e autorit për veprat arkitekturore vlejnë edhe për objekte si spitalet, që janë pronë e shtetit.

“E drejta morale e integritetit për veprat e ndërtuara arkitekturore është e përjashtuar me legjislacionin në fuqi, përkatësisht Ligjin nr. 04/L-065. Kjo sipas nenit 73, i cili thotë se ‘Pronari i veprës së ndërtuar arkitekturore mund ta përpunojë lirshëm atë vepër’. Tutje, paragrafi 3 i nenit 74 thotë se ‘Pronari i veprës së ndërtuar arkitekturore mund ta asgjësojë atë vepër, por autori ka të drejtën ta fotografojë dhe të kërkojë t’i dorëzohen kopjet e planeve në shpenzime të veta’”, ka thënë Kashtanjeva.

Sipas tij, në të tilla raste autorët kanë vetëm të drejta morale.

“Pa dashur të paragjykoj në lidhje me tenderin dhe procedurat, mendimi im ndërlidhet vetëm me të drejtën e autorit. E drejta e autorit i jep autorit të drejtat ekonomike dhe të drejtat morale. Të drejtat ekonomike mund të kalojnë me kontratë në persona të tjerë përveç autorit, ndërsa të drejtat morale të autorit nuk mund të kalojnë në persona të tjerë apo të tretë, me kontratë”, ka theksuar Kashtanjeva. “Në lidhje me veprat e autorit dhe në këtë rast veprat arkitekturore, autori i projektit apo i veprës arkitekturore gëzon të drejtat morale”.

KOHA ka raportuar vazhdimisht për problemet në ndërtimin e objektit të ri të Emergjencës.