Objekt në të cilin mund të veprojnë të paktën 14 ekipe vaksinimi njëkohësisht, ka kërkuar Ministria e Shëndetësisë nga institucionet shëndetësore në Pejë.
Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Petrit Loci, për këtë qëllim thotë se kanë ndërmend të shfrytëzojnë palestrën e sporteve “Karagaqi”, por presin që të kenë numër më të madh të vaksinave në dispozicion.
“Ne presim nga ana e ministrisë që së pari të na sigurojë numër masiv të vaksinave. Atëherë ne jemi të gatshëm ta hapim një qendër të madhe të vaksinimit ku do të inkorporohen gjitha ekipet e vaksinimit në një vend dhe të shërbejmë në atë vend për të ofruar vaksinimin masiv të qytetarëve”, ka thënë Loci
Me sasinë e vaksinave që janë ndarë së voni, sipas Locit, nuk mund të bllokojnë “Karagaqin”
Për shkak të kapacitetit të limituar në qendrën e vaksinimit në këtë komunë, me deri 130 persona në ditë, javën e kaluar ishte pritur që të nisë vaksinimi në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Taphane”, në të cilën mund të vaksinohen deri në 300 persona në ditë.
“Për momentin është vetëm një ekip, por po shpresojmë që do të dalim në ambulanten tjetër ku janë ekipet e formuara, janë të regjistruara dhe vetëm po presim me na ardh interneti, softueri, kompjuterët... për regjistrimin e pacientëve”, ka pohuar Tringa Prenkaj, mjeke në Qendrën Kryesore të Vaksinimit.
E këtë infrastrukturë të nevojshme në një qendër të vaksinimit, përfshirë edhe instalimin e rrjetit të sistemit informativ shëndetësor, duhet ta sigurojë Ministria e Shëndetësisë, respektivisht Departamenti i Sistemit të Informacioneve Shëndetësore.
Për moskrijimin e këtyre kushteve në atë qendër mjekësore, KOHA ka tentuar të kontaktojë udhëheqësin e këtij Departamenti, Zenel Hisenaj, por ai nuk ka qenë i qasshëm.
Që nga fillimi i vaksinimit e deri të martën, në Komunën e Pejës janë vaksinuar 3 mijë e 120 persona, në mesin e tyre staf mjekësor, të moshuar, persona me aftësi të kufizuar dhe persona me sëmundje kronike.