Arbëri

MSH-ja kërkon mirëkuptim për procedurat e largimit të personave që s’janë të prekur me Covid-19 në QS

Një çift bashkëshortësh janë duke qëndruar në Qendrën e Studentëve tash e 15 ditë, pas një udhëtimi që kishin pasur në Gjermani.

Ata u janë nënshtruar analizave për koronavirus më 31 mars dhe më 1 prill kanë rezultuar negativë.

Thonë se janë duke qëndruar pa nevojë aty, duke shtuar që kanë probleme të tjera shëndetësore, raporton KOHA.

Por, në Ministrinë e Shëndetësisë, përmes një përgjigjeje me shkrim, kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët, pasi thonë se ka shumë persona dhe ka procedura të cilat duhet ndjekur.

E për t’i ndihmuar këta persona të izoluar në Qendrën e Studentëve është angazhuar edhe një grup prej 24 vullnetarëve.

Një prej tyre është edhe Dukagjin Llolluni, që ka një javë që është duke shërbyer në këtë qendër.

Në Qendrën Studentore që po shërben si karantinë aktualisht janë 500 persona, prej tyre 145 janë duke pritur që të testohen.

Ndërsa, gjatë së premtes janë liruar 7 persona që ishin kthyer nga Londra.

Përderisa mbi 1 mijë persona kanë kërkuar që të kthehen në Kosovë, zyrtarë qeveritarë kanë thënë se kapacitetet e Kosovës për karantinë janë të limituara.