Fëmijë e të rritur të cilët kanë nevojë për analiza gjenetike përmes të cilave do të diagnostikoheshin sëmundje të rralla detyrohen që ato t’i kryejnë në institucione private shëndetësorë e në shumë raste edhe jashtë Kosove.
SHSKUK-ja si institucioni kryesor publik spitalor në Kosovë, nuk kryen pjesën më të madhe të këtyre analizave.
Talasemia është një sëmundje gjaku e trashëguar që shkaktohet nga një defekt në prodhimin e hemoglobinës, një pjesë e rëndësishme e qelizave të kuqe të gjakut.
Familjarë të një fëmije të sëmurë i kanë treguar KOHËS në kushte anonimiteti që vazhdimisht me vetëfinancim janë detyruar të kryejnë analiza gjenetike për këtë sëmundje. Në rastin e tyre, analizat nuk kryhen as në Kosovë e as në Shqipëri.
Aktualisht do të detyrohen të kryejnë analiza gjenetike shtesë, siç janë beta talasemia, alfa talasemia - Sindroma bloom dhe mutacionet gjenetike të talasemisë.
Në SHSKUK kanë deklaruar se për to Klinika e Pediatrisë u lëshon prindërve të fëmijëve raportet, me të cilat mund të aplikojnë në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, i cili institucion e mbulon koston financiare.
Sa u përket rasteve që kanë nevojë për analiza gjenetike, të cilat nuk kryhen në Kosovë, ne i referojmë për jashtë vendit. Nuk e di nëse kemi pasur ndonjë rast të tillë që ka pasur nevojë për diagnostikim gjenetik dhe që nuk i është dhënë dokumentacioni përcjellës, e as ndonjë vërejtje nga prindërit që më është drejtuar mua si drejtoreshë.
E në Fondin e Sigurimit Shëndetësor kanë treguar se i mbulojnë financiarisht këto raste, por se shuma që e alokojnë është e kufizuar.
Sa i përket mbulueshmërisë financiare nga Fondi, për rastet të cilat referohen nga klinikat përkatëse të QKUK-së për procedurë të analizave gjenetike, mbulueshmëria financiare në bazë të UA 03/2017 për TMJIShP është 3,000.00€ (tre mijë euro) deri në 5,000.00€ (pesë mijë euro).
Familjarët e fëmijës që ka nevojë për të tilla analiza, e me të cilët ka biseduar KOHA, kanë treguar që shpenzimet kanë qenë shumë më të larta se kjo shumë.
Përveç për fëmijë, këto analiza kryhen edhe për të rritur.
KOHA e ka pyetur SHSKUK-në e Ministrinë e Shëndetësisë se cili është plani afatshkurtër ose afatgjatë për fillimin e realizimit të këtyre analizave në Kosovë. Asnjëri nga institucionet nuk ka kthyer përgjigje.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore paguan shuma të larta parash për shërbime që nuk ofrohen në Kosovë. Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë vazhdimisht kanë thënë që do të funksionalizohen shërbime të reja që do të ulnin shpenzimet për trajtime jashtë vendit.