Arbëri

MSH-ja e quan të pabazuar vendimin e Komisionit të Ankesave për “KosovaMed HealthCare”

Komisioni i Ankesave, në një vendim të janarit të këtij viti, ka thënë se kompania “KosovaMed HealthCare”, që ofron shërbime të kujdesit shëndetësor në disa komuna, ka licencë për “ofrim të kuadrit shëndetësor”. Por Zyra ligjore e kësaj ministrie ka vlerësuar se interpretimi i Komisionit të Ankesave është i pabazuar. Nga Komisioni i Ankesave kanë refuzuar të përgjigjen

Vendimi i Komisionit të Ankesave, ku i jepet të drejtë kompanisë “KosovaMed HealthCare” për të ofruar shërbime, ka dëshmuar mënyrën se si trupat dhe departamentet në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë e interpretojnë ndryshe situatën e njëjtë.

Komisioni për Ankesa, kur i ka dhënë të drejtë kësaj kompanie, ka nënvizuar se “ajo ka licencë për shitblerjen e pajisjeve medicinale dhe ofrim të kuadrove profesionalë medicinalë në institucione shëndetësore të licencuara”.

E Zyra Ligjore e Ministrisë së Shëndetësisë ka nxjerrë opinion ligjor në lidhje me këtë vendim të Komisionit të Ankesave. Ka konstatuar se Komisioni i Ankesave ka ardhur në përfundim të gabuar në lidhje me këtë kompani.

“Departamenti Ligjor ka kërkuar nga AKPPM-ja që të sigurohet licenca respektive e kompanisë ‘KosovaMed HealthCare’, ku sipas dëshmisë ky operator është licencuar me këtë titull ‘Licencë veprimtarie – qarkullues me shumicë për produkte dhe pajisje medicinale’. Andaj, konstatimi në arsyetimin e sipërshënuar të vendimit të Komisionit të Ankesave nuk është i bazuar drejt dhe nuk përkon me licencën e veprimtarisë respektive të lëshuar nga organi kompetent në këtë rast nga AKPPM-ja”, thuhet në opinionin e Zyrës Ligjore të MSH-së.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë se pse i është referuar në opinion se ka licencë edhe për produkte, kur kjo kompani ka një të tillë vetëm për pajisje. Nga ky institucion kanë thënë se do ta eliminojnë këtë gabim, që e kanë quajtur teknik.

Nga Zyra Ligjore po ashtu e kanë “këshilluar” Komisionin e Ankesave që t’i analizojë edhe një herë dokumentet që ka në dispozicion.

Nga Komisioni i Ankesave nuk kanë pranuar të sqarojnë se ku e kanë bazuar vendimin. E në AKPM kanë thënë se nuk lëshojnë fare licenca të tilla, siç ka pretenduar Komisioni i Ankesave.

Kryesuesi i Komisionit të Ankesave, Shaban Osmanaj, të premten (15 mars) i ka premtuar KOHËS përgjigje për këtë çështje. Megjithatë, të martën nga ky komision e konsideruan veten jokompetentë për të folur për këtë çështje.

“Komisioni i Ankesave nuk ka kompetencë për të dhënë opinion apo të komentojë vendimin e nxjerrë nga vetë komisioni”, thuhet në përgjigjen e Komisionit të Ankesave.

KOHA nuk ka kërkuar asnjëherë komente apo opinione nga ky komision. Pyetja kryesore që ia ka parashtruar ishte se në cilin ligj janë bazuar kur kanë thënë se kjo kompani “ka licencë për ofrim të kuadrove”, meqë një licencë e tillë nuk ekziston.

E në lidhje me këtë çështje, më 15 mars, KOHA i ka dërguar pyetje edhe kompanisë “KosovaMed HealthCare”. As nga ajo nuk kanë ofruar përgjigje.

Në një përgjigje të mëhershme, në njërën anë patën thënë se kanë licencë e në tjetrën se nuk u duhet ajo për kontratat që kanë me komunat.

Inspektorati Shëndetësor në dy komuna, gjatë muajve tetor e nëntor të vitit të kaluar, kishte nxjerrë vendim për pezullim të punës së kësaj kompanie me arsyetimin se nuk ka licencë për ofrimin e shërbimeve për çka ishte angazhuar. Kjo kompani ka fituar tenderë në disa komuna për ofrim të kujdesit shëndetësor shtëpiak, e po ashtu edhe në hapësirat e Qendrave të Mjekësisë Familjare.

Në periudhën kur i ka fituar tenderët, kjo kompani ka disponuar licencë si qarkullues me shumicë të pajisjeve medicinale.