Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka larguar nga puna për herë të tretë zyrtarin tekniko-administrativ në Konsullatën e Kosovës në Frankfurt, Murat Makolli, i cili prej katër vjetësh është ballafaquar me ministrinë në Gjykata të Gjermanisë. E ka bërë këtë, ndonëse një Gjykatë e Punës në shtetin gjerman ka konstatuar shkelje në dy rastet e mëparshme të ndërprerjes së marrëdhënies së punës të Makollit, në mënyrë të jashtëzakonshme dhe pa paralajmërim
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) i ka dhënë fund sagës me zyrtarin, i cili është konsideruar në marrëdhënie pune porse që prej katër vjetësh nuk ka shkelur në Konsullatën e Kosovës në Frankfurt.
MPJD-ja për herë të tretë ka nxjerrë vendim për shkëputje të kontratës së punës të zyrtarit teknik-administrativ, Murat Makolli, ani se një Gjykate e Punës pati konstatuar shkelje në këtë rast.
Makolli e ka paditur Ministrinë e Jashtme në vitin 2020 pranë një gjykate të punës në Gjermani me pretendimin se kontrata i është ndërprerë në mënyrë të jashtëligjshme dhe pa paralajmërim.
Për rastin e tij, Gjykata fillimisht ka nxjerrë aktgjykim më 22 gusht të 2022-s, me të cilën e ka obliguar MPJD-në që t’ia paguante Makollit 6.900 euro dhe që ta kthejë atë në vendin e punës. Edhe më 3 nëntor të 2022-s, kjo Gjykatë ka konstatuar se marrëdhënia e punës me Makollin nuk është ndërprerë asnjëherë tek e ka obliguar MPJD-në që t’i paguajë edhe 9.200 euro për shpenzimet e Gjykatës.
Por Makolli nuk është kthyer asnjëherë në vendin e tij të punës, përderisa MPJD-ja më 15 mars të vitit të shkuar ia ka kumtuar atij vendimin, vetëm në versionin në gjuhë gjermane, për ndërprerjen e punës në mënyrë të jashtëzakonshme.
“Ne e ndërpresim marrëdhënien ekzistuese të punës me ju në mënyrë të jashtëzakonshme dhe pa paralajmërim, do të thotë me efekt të menjëhershëm. Përndryshe, ne do ta ndërpresim, siç duhet marrëdhënien e punës, në datën tjetër të lejuar; Sipas përllogaritjeve, ajo është 14 maj 2024”, është thënë në vendimin e datës 15 mars 2023.
Makolli e ka quajtur të padrejtë këtë vendim, duke thënë se MPJD-ja nuk i ka respektuar vendimet e gjykatave në Gjermani.
“Në atë vendim nuk është cekur as vendi i punës dhe as nuk po mundem të kuptojë se si e kanë nxjerrë. Si është e mundur që të nxirren tri vendime për largime nga puna. Ka një vendim më 3 nëntor 2022, ku gjykata gjermane i ka konstatuar të paligjshme dy vendimet e mëparshëm për largim nga puna. Vendimi e pati pranuar MPJ-ja si të plotfuqishëm dhe ekzekutueshëm. Ai i është dërguar edhe Konsullatës në mars 2023. Gjykata i ka dërguar vendimet për përmbarim”, ka thënë Makolli.
Si arsye për ndërprerjen e kontratës, në vendim janë përmendur rrethanat e paraqitura në procedurën e zhvilluar pranë Gjykatës së Punës në Frankfurt, por pa specifikuar se cilat janë ato.
Në vendim është theksuar po ashtu se Makolli nuk e ka ruajtur konfidencialitetin, duke e bërë publik rastin në media.
“Tashmë është bërë e ditur se pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura, ju keni shkelur edhe një herë rëndë detyrimet tuaja për konfidencialitet përmes dhënies së deklaratave në lidhje me procedurat e gjykatës së punës. Ju jeni i detyruar të kontaktoni menjëherë agjencinë përgjegjëse të punësimit dhe të ndërmerrni veprime për të kërkuar një punë tjetër në mënyrë që t’i shmangni disavantazhet gjatë përfitimeve duke mos qenë në punë”, është thënë në vendim.
Me këtë, Makollit ka thënë se ministria i është referuar denoncimit që ai e ka bërë në KOHA në shkurtin e 2023-s.
“Kjo është mbyllje e gojës ose lirisë së shprehje për shkak se vitin e kaluar kam dal në televizionin tuaj, ku kam kërkuar që të zbatohet vendimi. E kam bërë këtë pas dhjetëra emaileve të dërguar në MPJD, zyrë të kryeministrit dhe zyrën e Kryetarit të Kuvendit. Asnjëri nuk më janë përgjigjur dhe pastaj kam vendosur të dalë në media për t’i denoncuar padrejtësitë qe më janë bërë. Nuk e di se si merret vendimi për largim e nuk zbatohet vendimit i gjykatës për kthim në vendin e punës”, është shprehur Makolli.
Ai ka shtuar se edhe nëse i ndërpritet kontrata, MPJD-ja duhet që t’ia ekzekutojë pagat për periudhën për të cilën Gjykata gjermane ka konstatuar se ai ka qenë në marrëdhënie pune.
Vendimi për largimin e Makollit nga puna është marrë fillimisht nga ish-shefja e konsullatës, Fatmire Musliu, me arsyetimin se vartësi i saj nuk i ka përmirësuar sjelljet me gjithë vërejtjet e dhëna.
“Unë jam në marrëdhënie pune krejt jetën, pasi nuk kam mundur t’i pres institucionet se çka do të vendosin për të ardhmen time. Qeverisja e kaluar, përkatësisht konsullja e Përgjithshme, Musliu, më ka larguar nga puna derisa kam qenë në pushim mjekësor. Edhe qeveria aktuale është e padrejtë në rastin tim. Edhe unë mendoj se këtë vendim për largim nga puna e ka proceduar sekretari i Ministrisë, Behar Isma”, ka thënë Makolli.
MPJD-ja dhe Konsullata e Përgjithshme në Frankfurt as tash nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS, me gjithë kërkesën për të dhënë sqarime lidhur me rastin e Makollit.
“Koha Ditore” e pati publikuar letrën e Makollit, i cili ankohej në Musliun për ushtrim presioni dhe shtytje drejt veprimeve në kundërshtim me ligjin. Siç shkruante në ankesë, Makolli kishte pësuar paralizë nervore, pas së cilës është detyruar që të marrë trajtim mjekësor.