Tefik Mustafa është duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd.
Në një përgjigje për KOHËN, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka thënë se diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës nuk kanë mundur të realizojnë vizitë në Serbi, por një vizitë “pritet të realizohet nesër, apo më së largu të mërkurën”. Atij të hënën iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditëve.
“Ndërkohë, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, me të kuptuar për rastin e arrestimit, ka dërguar shkresë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, për ta konfirmuar rastin e arrestimit dhe duke kërkuar sqarime për arsyet e arrestimit dhe trajtimin që i është bërë z. Mustafa nga autoritetet serbe gjatë arrestimit dhe mbajtjes”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Kjo ministri bëri të ditur se Zyra u ka dërguar notë njoftuesve misioneve diplomatike të QUINT-it dhe të BE-së.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bënë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit z. Tefik Mustafa dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet tutje.