Ministria e Punëve të Jashtme e mban të fshehtë listën e konsujve të nderit, por pretendohet se janë rreth 40 sosh të emëruar.
Por, përveç numrit të saktë, edhe emërimi i tyre nuk dihet se si dhe kur është bërë, raporton KTV.
Një prej shembujve është ai që ngjalli interes javën e kaluar, konsullata dhe konsulli i nderit në Benin, Olivier Nutsugan.
Në media elektronike, raportohet se propozimi për emërimin e tij nga atëherë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ishte bërë në gushtin e vitit 2012.
Pacolli, bashkë me Nutsugan, kishte propozuar edhe 5 emra të tjerë.
1. Mom Luang Rajadasari Jayankura – Mbretëria e Tailandës
2. Enrique Rais – Honduras
3. Ahmed Shaheed – Republika e Maldiveve
4. Samuel Peralta Sosa – Republika Dominikane
5. Olivier J. Nutsugan – Republika e Beninit
6. Fabien Xavier Baussart – Republika e Italisë
Por, në një përgjigje për KTV-në, vet Nutsugan ka thënë se vendimin për emërimin e tij e kishte marrë në vitin 2011.
“E kam pranuar vendimin për emërimin tim nga Ministri i Punëve të Jashtme më 2011 dhe në përputhje me ligjet e Kosovës, konsulli i nderit emërohet për një kohë të pacaktuar. Tani, ministri i aktual i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka konfirmuar emërimin tim si konsull nderi”, i ka thënë Nutsugan KTV-së.
Kohavisioni, ditë më parë, ka bërë kërkesë për qasje në dokument zyrtar, për të parë vendimin e emërimit të konsullit të nderit në Republikën e Beninit, por nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Drejtori i Zyrës për Informim në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Sami Kastrati, i ka thënë ‘Kohës Ditore’ se angazhimi i konsujve të nderit nuk i kushton asgjë buxhetit të shtetit.
Konsujt e nderit gëzojnë një sërë benefitesh, përfshirë pasaportën diplomatike, imunitet nga procedurat penale dhe kursehet nga procedurat e doganimit.
Nutsugan, përveç që është konsull nderi, është edhe biznesmen, por ai ka mohuar se i përzien ndonjëherë interesat e tij private me ato të Republikës së Kosovës.