Arbëri

MPJ-ja në kontakt me autoritetet turke nëse disenjatori me pasaportë diplomatike u kap me drogë

Pas raportimit të mediave për arrestimin e disenjatorit Valdrin Sahiti në Turqi, i cili ka pasaportë diplomatike, për shkak të posedimit të lëndëve narkotike, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë njoftuar se janë në pritje të informacioneve zyrtare nga autoritetet turke. Derisa Sahiti ka postuar një fotografi nga Dubai, kohën kur u raportua për arrestimin, avokati i tij, Besnik Berisha, ka thënë se nuk është në pyetje përdorimi ose keqpërdorimi i pasaportës diplomatike

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në pritje të informacioneve zyrtare nga autoritetet e Turqisë, pas raportimeve për arrestimin e disenjatorit Valdrin Sahiti, me një sasi të drogës. Sahiti ka pasaportë diplomatike.

“Ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës(MPJD) është ende në pritje të informacioneve zyrtare nga autoritetet turke, rreth rastit në fjalë. Meqenëse deri në këto momente MPJD-ja nuk ka asnjë konfirmim zyrtar rreth rastit, ne nuk mund të flasim për masat që duhen marrë në të tilla raste, ngase varet nga informacionet zyrtare që do t’i pranojmë gjatë ditës”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Derisa Sahiti gjatë ditës ka publikuar një foto nga Dubai, avokati i tij, Besnik Berisha, ka thënë se lajmi për arrestimin dhe ndalimin e tij është i pasaktë. Sipas tij, për autoritetet turke nuk ka qenë në pikëpyetje përdorimi ose keqpërdorimi i pasaportës.

“Pra, ndaj Valdrinit nuk ka asnjë procedurë të iniciuar në Republikën e Turqisë, aq më pak të jetë arrestuar apo ndaluar siç është raportuar. E vërteta është se ka pasur një humbje të çantës së tij personale, më saktësisht harresë të saj në aeroplan dhe është lajmëruar te personat përgjegjës, që e ka harruar çantën, e kanë sjellë çantën e tij, e kanë konfirmuar se çanta është e tij dhe kanë marrë një konfirmim se po ia dorëzojnë atë dhe ka vazhduar për Dubai. Kjo është çështja që e di unë prej Valdrinit. Nuk ka pasur asnjë pyetje e asnjë telashe në lidhje me pasaportën. Është fakt i njohur që ai posedon pasaportë diplomatike, por në rastin konkret nuk është se ka qenë pikëpyetje për autoritetet përdorimi ose keqpërdorimi i pasaportës”, ka deklaruar Berisha.

Policia e Kosovës dhe ajo turke nuk kanë kthyer përgjigje, me gjithë interesimin e KOHËS.

MPJD-ja ka konfirmuar se Sahiti është pajisur me pasaportë diplomatike në dhjetor të vitit 2020, me vendim të ish-ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj.

Në vendimin që ka siguruar “KOHA” thuhet se rekomandimi bazohet në vlerësimet për përfaqësimin e interesit shtetëror nga Sahiti në kuadër të projekteve të ndryshme që kanë për qëllim promovimin e interesit të Kosovës.

Krahas shumë personave publikë, disenjatori Sahiti përkujdeset edhe për veshjen e presidentes Vjosa Osmani. Në maj të 2022-s, shefja e shtetit kishte marrë pjesë edhe në një sfilatë të Sahitit.

Këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina, ka thënë presidentja nuk ka pasur asnjë rol në dhënien e pasaportës diplomatike për Sahitin.

“Presidentja as nuk lëshon e as nuk merr pasaporta diplomatike. Pra nuk i ka lëshuar pasaportë diplomatike asnjëherë askujt. Për qindra pasaporta të raportuara në media, pyetjet duhet të drejtohen te Qeveria paraprake, sepse janë lëshuar gjatë qeverisjes së tyre. Ajo pasaportë është dhënë në kohën e Qeverisë paraprake kur presidentja Osmani nuk ka qenë as presidente e as u.d. presidente”, ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë.

Sipas Ligjit për dokumentet e udhëtimit, krahas liderëve të shtetit e atyre institucionalë, që veprojnë në emër të Kosovës, pasaporta diplomatike u lëshohen vetëm anëtarëve të ngushtë familjarë. Por aty nuk përcaktohet nëse me këtë dokument mund të pajisen edhe personalitete që nuk e përfaqësojnë zyrtarisht shtetin.