Në emër të racionalizimit të agjencive të pavarura, Ministria e Punëve të Brendshme, si iniciuese e kësaj reforme, i ka ulur kriteret për përzgjedhjen e drejtorit dhe stafit të Autoritetit të Aviacionit Civil. Me këtë ndryshim nuk është pajtuar Sindikata e Punëtorëve të Aviacionit Civil, nën dyshimin se kjo rrezikon funksionalizimin e AAC-së.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës i ka ulur kriteret për zgjedhjen e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil.
Projektligji për Racionalizim të Agjencive të Pavarura mundëson që në pozitën e drejtorit të AAC-së të përzgjidhen personat që plotësojnë kriteret si për sekretar të përgjithshëm të institucioneve të tjera.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura. Kandidati për drejtor të AAC-së duhet t’i plotësojë kriteret e përcaktuara për sekretar të përgjithshëm sipas legjislacionit në fuqi për zyrtarët publikë”.
Ky ndryshim në emër të racionalizimit dallon tej mase më ligjin aktual në fuqi për aviacionin civil, që për pozitën e njëjtë kërkon të paktën pesë vjet përvojë të konsiderueshme menaxhuese dhe përvojë profesionale në fushën e aviacionit civil.
Me një ndryshim të tillë nuk po pajtohen as në Sindikatën e Punëtorëve të Aviacionit Civil.
“Rregullimi i sigurisë së aviacionit është fushë e ndjeshme dhe shumë specifike, e cila kërkon kompetencë të lartë profesionale në fushën e aviacionit, prandaj edhe nuk mjaftojnë vetëm kërkesat bazike administrative që kërkohen për sekretar të përgjithshëm siç parashihet në projektligj. Përzgjedhja e drejtorit pa njohuri dhe përvojë paraprake në fushën e aviacionit, i cili do të marrë vendime të rëndësishme në fushën e sigurisë do të ndikojë drejtpërdrejt në funksionin kushtetues që e ka AAC-ja”.
Projektligji për racionalizim të agjencive të pavarura pritet të ndryshojë edhe kriteret për rekrutim të stafit.
Të punësuarit e tjerë në Agjenci kanë statusin e nëpunësit civil dhe marrëdhënia e tyre e punës rregullohet me legjislacionin në fuqi për zyrtarët publikë.
Kjo ndryshon nga ligji bazik, i cili specifikon që personeli i Aviacionit Civil duhet të bëhet në bazë të meritës, kompetencës dhe përvojës së dokumentuar, e cila është relevante për aviacionin civil.
Një gjë e tillë, sipas Sindikatës së Punëtorëve të AAC-së, do të rrezikojë funksionalizimin e kësaj agjencie.
“Largimi i këtyre kërkesave do të hapte derën për rekrutime jomeritore e pa përvojë në aviacion, që mund të rrezikojë funksionalizimin profesional të AAC-së e me këtë edhe sigurinë e aviacionit civil”.
Ndërkaq, sipas Demush Shashës, drejtor i institutit EPIK, një agjenci e rëndësishme si Autoritetit i Aviacionit Civil nuk do të duhet të futej në valën e parë të racionalizimit, aq më pak të ulen kriteret e punësimit në këtë agjenci.
“Autoriteti i Aviacionit Civil është një institucion i rëndësisë së veçantë, të jesh drejtor i atij institucioni nuk është si të jesh sekretar i përgjithshëm i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete apo i Ministrisë së Mjedisit. Kërkohet një ekspertizë dhe një profesionalizëm krejtësisht tjetër kjo nuk është vetëm në Kosovë, kjo është praktikë evropiane dhe rajonale, prandaj është gabim çfarëdo degradimi i cilësisë së kritereve sa i përket rekrutimit në pozita të lidershipit apo të ekspertëve”, ka thënë Shasha.
Autoriteti i Aviacionit Civil hyn në valën e parë të racionalizimit, projektligji për të cilin tashmë është përcjellë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Synimi parësor i kësaj reforme është racionalizimi dhe vendosja e vijave llogaridhënëse për agjencitë e pavarura.