Arbëri

MPB e Serbisë: Zjarri në rrethinën e Preshevës nën kontroll, janë hedhur 30 tonë ujë

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar se zjarri që kishte përfshirë rrethinën e Preshevës është vënë gati tërësisht nën kontroll, njofton televizioni serb “RTS”.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Serbisë janë hedhur mbi 30 tonë ujë me anë të helikopterëve. Nga zjarri janë djegur 50 hektarë ara në fshatrat Corroticë, Rajincë dhe Shushajë të Poshtme dhe të Epërme.

Është thënë se zjarri në Corroticë ende nuk është vënë plotësisht nën kontroll, dhe aktualisht është në tri lokacione.

Zjarri kishte shpërthyer në rrethinin e Preshevës të premten.

Drejtori i Departamentit të Emergjencave në Serbi, Milorad Spasojeviq, ka thënë se situata është shumë më e mirë se që ishte të premten.

“Me angazhimin e një numri të madh të zjarrfikësve, gjegjësisht duke sjellë njësite nga Vranja, arritëm të shuajmë zjarrin, që përfshiu një zonë të madhe. Para së gjithash, arritëm të parandalojmë përhapjen e zjarrit në zona të banuara”, ka thënë Spasojeviq.

Ai ka shtuar se me tre helikopterë që kanë bërë 32 fluturime janë hedhur 30 tonë ujë.