Arbëri

Mosveprimi i presidentes rrezikon vendimmarrjen në KQZ

Presidentja Vjosa Osmani nuk i ka emëruar dy anëtarët e fundit të KQZ-së, edhe pas kumtit që ka dhënë Kushtetuesja se nuk do të përgjigjet për çështje rreth përfaqësimit që shefja e shtetit i ka ngritur para kësaj gjykate. Në shoqërinë civile gjykojnë se presidentja shkeli ligjin nëpërmjet kësaj zvarritjeje, e në PDK thonë se po rrezikohet vendimmarrja e KQZ-së në prag të zgjedhjeve lokale

Komision i Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk është duke funksionuar në përbërje të plotë. Presidentja Vjosa Osmani nuk i ka emëruar dy anëtarët e fundit, edhe pas kumtit që ka dhënë Kushtetuesja se nuk do të përgjigjet për çështje rreth përfaqësimit që shefja e shtetit i ka ngritur para kësaj gjykate.

Arianit Elshani, anëtar i PDK-së në KQZ, thotë se Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar njëjtë sikurse edhe partia që përfaqëson ai, dhe kërkon nga Osmani që pa vonesë t’i bëjë emërimet.

“Si kërkesë jona është që sa më parë, si Parti Demokratike e Kosovës, por edhe si anëtar i KQZ-së, që sa më parë të dekretohen edhe dy anëtarët e rinj, në këtë radhë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Koalicioni Vakat, meqenëse këtë e garanton edhe Kushtetuta e këtë e garanton edhe Ligji për zgjedhjet. Këtë e ka vlerësuar edhe Gjykata Kushtetuese”, thotë Elshani. “Duhet të ruhet ky pluralizëm politik dhe të ndalen tendencat për autoritarizëm dhe për kapje të KQZ-së nga një parti që aktualisht është në pushtet”.

Dilemat që ka ngritur presidentja janë për dy pozita anëtarësh. Njëra përbën kontest mes Vetëvendosjes si parti e parë që e kërkon edhe anëtarin e tretë në KQZ, si dhe PDK-së që e kërkon të dytin. Pozita tjetër përbën kontest mes partisë së Koalicionit Vakat si subjekt me më së shumti vota nga komuniteti boshnjak, dhe partisë së zëvendëskryeministres Emilja Rexhepi.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se presidentja Osmani nuk veproi konform ligjit.

“Ne qysh në fillim kemi kritikuar qasjen e presidentes për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese për shkak se ka pasur praktikë që kjo çështje të mos merret në shqyrtim për shkak se nuk përbën fare çështje kushtetuese”, thotë Cakolli. “Ligji ofron shpjegim të qartë për atë se si duhet të përmbushet numri i anëtarëve të KQZ-së nga radhët e subjekteve politike. Për më tepër, për shkak të situatës së krijuar, tashmë janë shkelur dispozitat për zgjedhjet e përgjithshme me të cilat përcaktohet se përbërja duhet të kompletohet brenda 60 ditësh nga certifikimi i rezultateve”.

Mbështetur në rregullin e deritashëm të përfaqësimit, partitë opozitare duhet t’i kenë pesë anëtarë në KQZ: PDK-ja 2, LDK-ja 1, AAK-ja 1 dhe Lista Serbe 1. Po kaq edhe subjektet në pushtet: Vetëvendosja 2 dhe nga një, tri komunitetet joserbe.

Por, dy muaj më parë kur i ka bërë emërimet e anëtarëve, presidentja Osmani nuk i ka emëruar edhe dy anëtarë dhe pati kërkuar të dinte nga Gjykata Kushtetuese nëse përfaqësimi në KQZ duhet të jetë në proporcion me fuqinë e subjekteve politike në Kuvend. Kushtetuesja më vonë e ka shpallur të papranueshme këtë kërkesë.

Në Presidencë nuk treguan se pas refuzimit të Kushtetueses për të kthyer një përgjigje, të propozuarit e cilave grupe parlamentare do t'i emërojë presidentja.

E në KDI gjykojnë se formula ligjore imponon emërimin e të propozuarve nga PDK-ja dhe Koalicioni Vakat.

“Mbetet të shihet se a do të vijojë znj. Osmani që me qasjen e saj të mos ia ofrojë PDK-së të drejtën e saj ligjore që të jetë e përfaqësuar në KQZ me dy anëtarë, por këtë të drejtë t’ia njohë Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht anëtares së vet të subjektit të saj politik që ishte krijuar gjatë periudhës së zgjedhjeve që, në një perspektivë më të gjerë, përbën edhe një lloj konflikt të interesit”, thotë Eugen Cakolli.

Të njëjtën e presin edhe në PDK dhe thonë se me mosemërimin edhe të dy anëtarëve është duke u cenuar vendimmarrja në KQZ.

“Ky numër i vogël i anëtarëve aktualisht brenda KQZ-së mund të rrezikojë mbarëvajtjen e Komisionit Zgjedhor. Është procesi i certifikimit të kandidatëve, është procesi i fletëvotimeve dhe janë procese të tjera, të cilat ndoshta për shkak të bindjes së njërit anëtar apo dikujt tjetër edhe mund të marrë shumicën e duhur, dhe në këtë rast të rrezikohet gjithë mbarëvajtja e procesit të zgjedhjeve lokale”, thotë Arianit Elshani.

Muajin e shkuar presidentja Osmani shpalli 17 tetorin datë të zgjedhjeve lokale. Një ditë para kësaj e shkarkoi kryetaren e deriatëhershme të KQZ-së, Valdete Daka, dhe në vend të saj e emëroi Kreshnik Radoniqin.