Dialogu më Serbinë më shumë se kurrë i ka ndarë udhëheqësit shtetërorë.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti, por edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani kanë qëndrime diametralisht të kundërta për këtë proces.
E këto moskoordinime të lidershipit kosovar, sipas publicistit Shkelzen Maliqi, e dëmtojnë pozitën e Kosovës në dialog, raporton KOHA.
Kurse sa i përket rezolutës për dialogun, analisti Rasim Alija thotë se që nga viti 2011 janë të paktën 20 rezoluta, të cilat s’kanë pasur kurrfarë peshe.
Në seancën e së premtes, sërish nuk u hodh në votim rezoluta e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, që sipas kësaj partie ka për qëllim mbrojtjen e sovranitetit të vendit.
Deputeti i VV-së, Hajrullah Çeku, ka thënë se aktualisht partia e tij po tenton t’i harmonizojë qëndrimet me partitë e tjera, që, sipas tij, kanë shprehur gatishmërinë për ta votuar rezolutën.
Përpos polarizimit të qëndrimeve të ekzekutivit për dialogun, Presidenca ditë më parë i ka kërkuar Kuvendit që përmes një rezolute t’ia ndalojë kryeministrit negocimin për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit.
E Kryeministri Hoti ka deklaruar se Kosova do ta respektojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ndërkohë në takimin e së enjtes, Skënder Hyseni ka deklaruar se nuk kanë pranuar të diskutohet fare për Asociacionin e komunave me shumicë serbe pavarësisht insistimit të palës serbe.
E Marko Gjuriq ka paralajmëruar mundësinë e bojkotimit të dialogut nëse pala kosovare nuk pranon të negociojë për Asociacionin.