Vetëm 11 sekonda semafori në të gjelbrën.
Kjo kohë nuk po mjafton për të shkarkuar korsinë e majtë të rrugës “Eqrem Çabej”, që shkon në drejtim të “Ulpianës”.
Shkaku që kjo po krijon tollovi të mëdha të veturave, shoferët po bëhen të paduruar. Shpeshherë ata po bëjnë kundërvajtje për të kaluar më shpejt këtë rrugë, duke tejkaluar zebrat apo duke bllokuar edhe korsinë e dytë për shumë sekonda.
Gjithë kjo tollovi është shkaktuar pas mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush”, ku edhe semaforët nuk janë sinkronizuar siç duhet.
Shoferët thonë se duhet të bëhet një ndryshim i menjëhershëm, pasi po presin tepër gjatë për të kaluar këtë rrugë.
Kjo kolonë pritet të vazhdojë edhe për disa javë.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, thotë se nuk mund të bëjnë asnjë intervenim për sinkronizimin e semaforëve deri pas 8 janarit, atëherë kur rruga “Xhorxh Bush” pritet të lirohet për qarkullimin e autobusëve.
“Kemi diskutuar me kompaninë dhe task-forcën dhe jemi duke e bërë sinkronizimin, jemi në proces, mirëpo duhet si kyçje punon, si platformë dhe nuk mund të bëjmë ndërhyrje vetëm në një anë të semaforëve në sekonda të caktuara, por duhet në të njëjtën kohë të sinkronizohet edhe në pjesë të tjera të semaforëve. Ajo duhet të sinkronizohet edhe me rrugën ‘Xhorxh Bush’, pasi pas 8 janarit kjo rrugë prapë do të jetë e hapur për taksi, autobusë dhe veturat emergjente, gjithashtu do të ketë hyrje por jo edhe dalje për parkingun nëntokësor nga kjo rrugë”, tha Musliu.
Me sinkronizimin e ri, Musliu thotë se do t’u jepet më shumë përparësi autobusëve.
“Do të kenë prioritet autobusët, me sikonizimin e ri do t’u japim shumë më shumë prioritet autobusëve dhe në të njëjtën kohë do të bëjmë maksimumin që edhe semafori për të cilën po flasim të ketë më shumë sekonda në mënyrë që të ketë një lëvizje më të shpejtë dhe të lirohet rruga”, tha Musliu.
Me lirimin e rrugës për autobusë, do të bëhen edhe disa ndryshime ku do mundësohet kalimi në këtë pjesë edhe për banorët rezidentë të qendrës.