Arbëri

Mospjesëmarrja në votim lë pa miratuar projektligje e rezoluta

Bojkotimi i votimit, herë nga ana e partive të pushtetit e herë të opozitës, ka bërë që edhe në seancën e re të Kuvendit, si dhe në pjesën e vazhdimit të disa seancave të mbetura pa përfunduar, të mos kalojnë disa rezoluta e projektligje, përfshirë disa për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare për kredi.

Kësisoj nuk kanë kaluar tri projektligje për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare, Projektligji për automjete e ai për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, rezoluta në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi e ajo e dalë nga Interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin e Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, shkruan KOHA.

Mospjesëmarrja në votim e deputetëve të LVV-së ka lënë pa miratuar tri projektligje për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare, ai për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit, për një kredi prej 25.1 milionë eurosh, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për një kredi prej 30 milionë eurosh, si dhe ai për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan, projekt në vlerë prej 24 milionë eurosh, përfshirë 11 milionë euro kredi nga kjo bankë.

Mosmbështetjen e tyre nga LVV-ja e ka arsyetuar deputeti Hekuran Murati. “U kërkua nga deputetët që të vlerësohet se çka janë prioritetet. Ne pajtohemi që shumica prej këtyre projekteve edhe janë prioritete, por aty ku ndahemi është që prej qeverive në vazhdimësi na është thënë para këtij Kuvendi se të gjitha projektet janë prioritete, por kemi përfunduar me një listë të projekteve të paralizuara që e tejkalojnë një faqe, bëhet fjalë për 512 milionë euro që janë marrë kredi e nuk po realizohen projektet”, është shprehur ai.

Murati ka kërkuar që Qeveria, para miratimit të marrëveshjeve të reja që rrisin borxhin publik, të sjellë një raport të detajuar se pse kanë ngecur këto projekte dhe të ketë një plan të veprimit se si duhet të veprohet tutje.

“Ne duhet të jemi vigjilent për sa i përket futjes së vendit në borxhe. Aktualisht borxhi i kontraktuar dhe disbursuar, përfshirë edhe atë që nuk është disbursuar, ka arritur në 30 për qind të GDP-së, nëse tejkalohet kjo shifër bie klauzola e investimeve”, ka theksuar Murati.

Pas mosmbështetjes nga LVV-ja ka reaguar ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se janë të vërteta problemet me disburësim të kredive dhe ngecje të implementimit të projekteve, porse, sipas saj, këto janë probleme të trashëguara. Ajo ka thënë se janë të detyruar të marrin kredi pasi nuk kanë mundësi të bëjnë investime me para të buxhetit. “Jemi duke vendosur mekanizma që të përshpejtohet implementimi i këtyre projekteve, sepse nuk është në interes të Qeverisë e as të askujt tjetër që të marrim kredi të shpenzojmë kohën, të paguajmë normën e interesit e këto kredi të na mbesin të bllokuara”, ka theksuar Bajrami.