Arbëri

Mospërmbushja e premtimeve, bie kënaqshmëria në punën e liderëve institucionalë

Ka shënuar rënie kënaqshmëria e qytetarëve me punën e liderëve institucionalë. Sipas një anketë të UNDP-së, rënia më e madhe e kënaqshmërisë është shënuar tek kryeministri apo rreth 8%, duke u pasuar nga kryetari i Kuvendit me 3.8% dhe presidentja me 1.6. E kjo rënie e kënaqshmërisë, sipas monitoruesve të qeverisjes, ka ardhur si pasojë e shumë premtimeve të cilat nuk i ka përmbushur Qeveria Kurti.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka publikuar sot edicionin e 23-të të përmbledhjes Pulsi Publik.

Gjetjet kryesore të kësaj ankete tregojnë se kënaqshmëria e qytetarëve me punën e liderëve institucionalë ka shënuar rënie brenda disa muajve gjatë vitit 2022, kur është zhvilluar anketa.

Rënia më e madhe është vërejtur tek kreu i ekzekutivit, Albin Kurti. Në nëntor të vitit 2022 me punën e kryeministrit Kurti të kënaqur janë deklaruar 44.9% e të anketuarve, duke shënuar një rënie prej 7.7 % nga muaji prill i vitit 2022, ku ishte 52.6%.

E arsyet që kanë sjellë në këtë rënie të kënaqësisë me punën e krerëve institucionalë, sipas Mexhide Demollit nga Lëvizja Fol, janë të shumta.

“Arsyet për këtë rënie janë të shumta. Kishte shumë premtime për shumë ndryshime. Kishte premtime për depolitizim të administratës, të bordeve, por ajo që kemi parë këta dy vjet është se të njëjtën gjë po e bën edhe partia aktuale në pushtet. Injorimi që i është bërë dialogut me Serbinë duke e thënë e stërthënë se nuk është në top-tri prioritet e Qeverisë, e që në fakt aktualisht po del të jetë prioriteti kryesor edhe i kësaj qeverie sikur atyre paraprake. Kriza e krijuar në veri të vendit dhe përballja me inflacionin pa dyshim që zë vend në pakënaqësinë e qytetarëve, gjë që ka ndikuar që janë këto rezultate tani”, ka thënë Demolli.

E pas kryeministrit, rënie të kënaqshmërisë ka edhe me punën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ku 50.85 % të anketuarve shprehen se janë të kënaqur me punën e tij duke shënuar një rënie prej 3.8% në krahasim me anketën paraprake të muajit prill të vitit 2022.

E ajo që mbetet më pak e prekur nga kjo rënie është presidentja e vendit Vjosa Osmani, ku niveli i kënaqshmërisë është rreth 56.8% duke bërë kështu një ulje të vogël në krahasim me anketën e kaluar apo vetëm 1.6% rënie.

E kjo ulje te të gjithë krerët institucionalë, sipas Demollit, duhet t’i shërbejë Qeverisë që të bëjë një kthesë të madhe në drejtimin e vendit.

“Qeveria Kurti së shpejti bën dy vjet nga marrja e pushtetit, pra janë në mes të mandatit të tyre. Kjo matje do të duhej t’i shërbente shumë kësaj qeverie që të bënte një kthesë të madhe në drejtimin e vendit dhe të punohet më shumë, sepse në të kundërtën kjo 'rënie e lirë' deri në fund të mandatit si duket do të jetë e barabartë me atë të qeverive të kaluara”, ka deklaruar Demolli.

Vetëm 23.6% e të anketuarve janë shprehur se janë të kënaqur me drejtimin politik të Kosovës.

Pakënaqësitë e qytetarëve nuk janë vetëm në nivelin qendror.

Sipas anketës së UNDP-së, edhe me qeverisjen e komunave qytetarët kanë shprehur pakënaqësi, ku pati një rënie të pëlqyeshmërisë nga 55.8% në prill 2022 në 51.4% në nëntor 2022.

Anketa spikat edhe pakënaqësi në sistemin e drejtësisë.

Zyra e Prokurorit ka pësuar ulje të kënaqshmërisë me një rënie në 15 për qind, nga 37.1% sa ishte në anketën e kaluar, tashmë ka rënë në 22%. Hiç më mirë nuk kanë kaluar as gjykatat, ku nga 33.9% sa ishte në prill të 2022, në nëntor kënaqshmëria pësoi rënie në 24.4%.