Bashkimi Evropian vazhdon ta kushtëzojë mbështetjen financiare për Kosovën dhe Serbinë me angazhimin e tyre në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Ndërsa Serbia pritet të marrë pagesën e parë nga Plani i Rritjes, Kosova mund mbetet jashtë për shkak të masave të BE-së apo mungesës së progresit në bisedime. Sipas njohësve, një kushtëzim i tillë, ngre pikëpyetje mbi qasjen e BE-së dhe ndikimin që mund të ketë në ecurinë e dialogut mes dy vendeve
Lënia jashtë e Kosovës prej pagesës së parë nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, si pasojë e masave që vazhdojnë të jenë në fuqi apo mospërparimit në dialog me Serbinë, po konsiderohet i padrejtë nga njohësit.
Zyrtarë të BE-së thanë javën e kaluar në këtë moment ende nuk ka vendim parafinancimi për Kosovën dhe për Serbinë nga paketa e rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe se BE-ja është duke e shqyrtuar këtë çështje.
Për sa u përket kushteve të tjera, Kosova dhe Serbia e kanë edhe një parakusht specifik - angazhimin konstruktiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Këtë e përmendi javën e shkuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të zgjerimit, Guillaume Mercier.
“Në procedurat për Planin e Rritjes ka parakusht, kur bëhet fjalë për Serbinë e Kosovën, e që është të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizim të marrëdhënieve. Në këtë fazë, nuk mund të konfirmojë nëse parakushti është plotësuar apo jo. Do të shpjegohet kur të merret një vendim sa i përket parafinancimit”, ka theksuar Mercier.
Por “KOHA” ka raportuar se për Serbinë tashmë pothuajse ka përfunduar procedura dhe se shumë shpejt ky shtet do të marrë pagesën e parë në vlerë prej mbi 100 milionë eurosh.
Analisti Lulzim Veliu thotë se kjo do të ishte qasje e padrejtë e BE-së në raport me palët.
“Po, është më se e vërtetë se te pjesa e këtyre fondeve që është diskutuar në qoftë se s'gabohem një vit të gjysmë apo ndoshta edhe dy vjet më herët, kanë qenë të ndara gjashtë miliardë për Ballkanin Perëndimor. Qysh me kohë është thënë se Serbia dhe Kosova kanë qenë të përjashtuar shkaku i mungesës së rezultateve në dialogun në mes të këtyre dy vendeve. Ndërsa tani kohëve të fundit, pra sipas informacioneve që kemi, pra është vendosur që këto fonde të ndahen edhe për Serbinë, ndërsa Kosova sërish është lënë anash. Është kjo për shkak të sanksioneve që i janë vënë Kosovës apo këtu po bëhet fjalë për politika jo të drejta kundër Kosovës. Ndoshta po bëhet fjalë për ndëshkimin e politikave të udhëhequra tash e katër vjet nga Qeveria e zotit Kurti, e cila në parim nuk ka qenë shumë në pajtueshmëri me faktorin ndërkombëtar jo vetëm me Bashkimin Evropian, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Veliu.
Ai shton se kjo është padrejtësi e madhe që i bëhet Kosovës.
“Ne e dimë shumë mirë se Serbia, pas gjithë atyre negociatave, është vend që organizoi sulmin terrorist në Banjska. Po ashtu sulmi në kanalin e Ibër Lepencit erdhi sërish nga Serbia dhe nuk ka asnjë masë ndëshkuese kundrejt saj. Ndërsa Kosova mori sanksione para sa vitesh, e tani shkak i këtyre sanksioneve mund të mos përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian për zgjerim”, ka shtuar ai.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian (KE) për çështje të zgjerimit, Guillaume Mercier, ka thënë të enjten se ende nuk ka vendim parafinancimi për Kosovën dhe për Serbinë tek shtoi se Bashkimi Evropian (BE) është duke e shqyrtuar këtë çështje.
“Mund ta konfirmojë se në këtë fazë nuk ka parafinancim për Serbinë dhe për Kosovën. Më herët këtë javë dhe javën e kaluar u bë parafinancimi për Maqedoninë e Veriut e Shqipërisë. Por, procesi po vazhdon për Kosovën e Serbinë”, ka thënë Mercier në konferencë për media në Bruksel.
Derisa Serbia pritet të marrë pagesën e parë prej parafinancimit, në vlerë prej mbi 100 milionë eurosh, sa i përket Kosovës, problemi qëndron ende te fakti se nuk e ka ratifikuar në Kuvend marrëveshjen për kredi me BE-në. Pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, pagesat nga “Plani i Rritjes” i BE-së për Ballkanin Perëndimor nuk mund të kryhen.
Pas certifikimit të rezultateve, presidentja duhet ta caktojë seancën konstituive brenda 30 ditëve.
Në rast se pagesa për Serbinë do të kryhet së shpejti, atëherë kjo do të thotë se Bashkimi Evropian ka vlerësuar që sjellja e Beogradit zyrtar ka qenë mjaftueshëm konstruktive në dialog, gjë kjo që mundëson edhe kryerjen e pagesës.
Burime të shumta të KOHËS në Bashkimin Evropian kanë konfirmuar se Kosova dhe Serbia nuk ndodhen në të njëjtën fazë, ngase pagesat për Serbinë pritet që të kryhen së shpejti, ndërsa për Kosovën kjo mund të bëhet vetëm pasi Kuvendi ta ratifikojë marrëveshjen për kredi, e cila, sipas ligjeve të Kosovës, e ka karakterin e marrëveshjes ndërkombëtare, për çka edhe duhet të ratifikohet në Parlament.
Sipas burimeve në BE, sikur Kosova do ta përmbushte këtë kusht, atëherë pagesat do të kryheshin së shpejti edhe për të.
BE-ja tashmë i ka kryer pagesat e para nga “Plani i Rritjes” për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut.
Fjala është për “parafinancimin” që e kap shumën prej 7 për qind të mjeteve të përgjithshme, të cilat nga ky plan i janë dedikuar Shqipërisë. Shqipërisë i janë paguar 64.5 milionë euro, nga të cilat 34 milionë kredi për buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër për infrastrukturë.
Bashkimi Evropian ka vendosur që të gjitha vendet, për të cilat janë aprovuar agjendat e reformave dhe të rritjes, të paguhet si “pagesë parafinancuese” shuma prej 7 për qind e mjeteve të dedikuara për atë vend përkatës. Të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës, e kanë përmbushur kushtin e miratimit të agjendave të reformave.
Paketa në total është në një vlerë prej 6 miliardë eurosh për të gjitha vendet e rajonit për periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027. Nga kjo shumë, 2 miliardë janë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes.
Mbi 250 milionë Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.
Sipas kësaj, Kosovës do t’i paguheshin 7 për qind në fillim si “parafinancim”, që i bie rreth 61 milionë euro. Për kokë banori, Kosova do të përfitojë më së shumti nga të gjitha vendet e rajonit nga kjo paketë.
Shqipëria do të përfitojë në total 922 milionë euro, Maqedonia e Veriut gjithsej do të mund të ketë në dispozicion 750 milionë euro, Serbia 1.58 miliard euro, Bosnjë-Hercegovina 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa Mali i Zi 383 milionë euro.
Edhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav, ka theksuar për Kosovën dhe Serbinë është parakusht dialogu në rrugën drejt integrimit në BE.
“Nuk mund ta imagjinoj se si Serbia apo Kosova mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian pa normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Orav për transmetuesin publik.
Ai ka shtuar se ky është hap kyç drejt stabilitetit dhe integrimit në strukturat evropiane. Sipas tij, ndihma financiare e BE-së është vetëm një mjet për të ndihmuar në zbatimin e reformave dhe për të ndihmuar të dyja palët të përgatiten për anëtarësim në Bashkimin Evropian.