Arbëri

Moskonsistenca e Gjykatës Komerciale për çështje të njëjta

Gjykata Komerciale i ka dhënë të drejtë vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e një tenderi pas hulumtimit të tregut ku u konstatua se kompania ka ofruar çmimin e një produkti 100 për qind më të shtrenjtë se çmimi i tij në tregun privat. Por, për një rast tjetër të ngjashëm prokurimi, kjo gjykatë ka konstatuar se Ministria nuk ka pasur të drejtë ta anulonte tenderin

Gjykata Komerciale brenda gjashtë muajsh, për çështje në thelb të njëjta ka marrë vendime plotësisht të kundërta.

Në vitet 2017 e 2018 kishte marrë hov abuzimi me çmimin e barnave në tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë.

Një hulumtim i gjatë i KOHËS ka sjellë dëshmi për çmimet në qindra produkte të barnave e të materialit shpenzues.

Konfirmimi i të dhënave nga hulumtimi i tregut çoi në anulimin e disa tenderëve nga MSH-ja, edhe pse ato ishin në fazën e nënshkrimit.

Për pasojë, një pjesë e madhe e kompanive e paditën Ministrinë e Shëndetësisë.

Në njërin nga proceset që mori epilog në fundin e vitit të kaluar, Gjykata Komerciale i ka dhënë të drejtë kompanisë farmaceutike, edhe pse kishte abuzuar me çmime të barnave. Ndërsa një vendim tjetër i kësaj gjykate, i marrë javë më parë, ka arsyetuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në aktgjykimin për rastin e furnizimit me Vitaminë C, citohet Ministria e Shëndetësisë sipas së cilës, oferta e kompanisë përmban çmime shumë më të larta sesa çmimet reale në treg.

“Nga vendimi mbi anulimin e prokurimit ‘Furnizimi me barna nga Lista Esenciale lot 2 (Acid Askorbik)’, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendimin për anulimin e aktivitetit të prokurimit, me arsyetim se është konstatuar se çmimi i produktit të ofruar nga Operatori Ekonomik është më i lartë se çmimet referente të tregut”, thuhet në aktgjykim.

Sipas aktgjykimit, çmimi i ofertuar nga operatori ishte 50 centë për njësi, e në treg asokohe çmimi ishte 0.25 cent për njësi. Vlera totale e tenderit ishte rreth 140 mijë, që i bie se vetëm nga ky produkt MSH-ja do t’i humbiste rreth 70 mijë euro.

Arsyetimi i operatorit ekonomik është se për këtë tender kanë ofertuar në vitin 2017, ndërsa hulumtimi i tregut nga ana e MSH-së është bërë në vitin 2018.

Ky tender kishte kaluar secilin filtër. Kontrata kishte mbetur pa u nënshkruar vetëm nga ministri, i cili para vendimit për nënshkrim kishte kërkuar hulumtim të tregut.

Vendimi i gjykatës e konstaton të gabuar faktin që hulumtimi i tregut nuk është bërë para se të hapej tenderi, por megjithatë i jep të drejtë ministrit.

“Nënshkrimi i kontratës është përfundimisht në kompetencë të Ministrit dhe i njëjti nuk mund të detyrohet ta nënshkruajë kontratën me vlerë të lartë nëse Autoriteti Kontraktues ka bërë lëshime në procedurën e vlerësimit të ofertave”, thuhet në aktgjykim.

Por, ndryshe nga rasti i furnizimit me Vitaminë C, në fundin e vitit të kaluar, Gjykata Komerciale në një padi të ngjashme kishte konstatuar që nëse ka shkelje në procedurë, e edhe në rast kur çmimet mund të jenë abuzive, ministri nuk ka të drejtë të mos e vendosë nënshkrimin në atë kontratë.