Arbëri

Mosharmonizimi i dy ligjeve shkaktoi paqartësi në licencimin e gurthyesve

Paqartësi juridike janë shfaqur në licencimin e gurthyesve, qëkur Agjencia e Pyjeve mori vendim për pezullim të kontrave qiradhënëse, si pasojë e mosharmonizimit të dy ligjeve. Ani se përfaqësues të këtyre kompanive thanë se nuk po arrijnë të marrin licencat për operim minerar, në Komisionin që lëshon këto leje e thanë të kundërtën.

Vendimi i Agjencisë së Pyjeve i marrë në qershorin e 2024-s, përmes të cilit pezullohen të gjitha qiradhëniet e tokave pyjore, krijoi paqartësi juridike në licencimin e gurthyesve.

Sipas APK-së, ky vendim është marrë për shkak të mosharmonizimit mes Ligjit për Pronën Publike dhe atij për Pyjet.

“Bazuar në nenin 23 të Ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe të agjencive të pavarura, Nenin 38 për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, të Ligjit për pyjet, të Nenit 85 dhe Nenit 84 pika 1, të Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, Ligjit për pronën publike, u.d. drejtori ekzekutiv i APK-së, pas shqyrtimit dhe analizimit të çështjeve ligjore ndërmjet ligjeve të cekura si dhe përgjigjes nga Zyra e Kryeministrit të datës 06.06.2024, merr këtë vendim: PEZULLOHEN të gjitha kërkesat që janë ushtruar nga personat fizikë dhe juridikë për marrjen e pyjeve dhe tokës pyjore me qira si dhe kërkesat për vazhdimin e kontratave për këtë qëllim”, thuhet në vendimin e APK-së.

Kompanitë e gurthyesve u ankuan se si pasojë e vendimit, nuk mund të marrin lejet operuese.

Kadri Ibrahimi, menaxher i kompanisë “Bentokosi i Ri” në Gërçarë të Kllokotit, tha se nuk ka operuar që nga marsi i vitit të kaluar, shkaku i moslicencimit.

“Deri më tani nuk kemi pasur asnjëherë probleme, por mbi të gjitha çështja e licencës ka ngecur një fije... Kanë qenë inspektorët e kanë inspektuar, i ka kaluar ato inspektime. Kështu që tani jemi vetëm në pritje të bordit për të vepruar”, u shpreh ai.

Në Komisionin për Miniera e Minerale, që lëshon licenca për operim minerar, thanë se shqyrtimi dhe licencimi i kompanive është duke u kryer në vazhdimësi, por nuk treguan për numrin e kërkesave në shqyrtim.  

“Licencimi/shqyrtimi i aplikacioneve të gurthyesve bëhet në vazhdimësi, nuk ka asnjë ndërprerje, pra aplikacioni që vjen ai trajtohet bazuar në afate ligjore sipas LMM-së (Ligjit për Miniera dhe Minerale, Nr. 03/L-163 dhe Nr.04/L-158). Licencimet janë duke u kryer në vazhdimësi për të gjitha ato aplikacione të cilat i plotësojnë kriteret për licencim, bazuar në LMM”, thuhet në përgjigjen e këtij komisioni.

E juristi Anton Nrecaj ka thënë se dy ligjet janë në kundërshti në pjesën e kontraktimit për dhënien e shfrytëzimit të pronave të shtetit, në këtë rast të tokave pyjore.

“Me një anë e kemi Ligjin për pyjet të Republikës së Kosovës, ligj i cili është në fuqi e që sipas këtij ligji të gjitha pronat, pyjet shtetërore janë në pronësi të shtetit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër e kemi Ligjin për pronën shtetërore, i cili po ashtu i referohet të njëjtës gjë, që të gjitha pronat janë në pronësi të shtetit të Kosovës, respektivisht të Qeverisë së Republikës së Kosovës. E tash këtu kemi një mospërputhje sa i përket pjesës së kontraktimit, dhënies së kontratës në shfrytëzim, me qira për periudha të caktuara”, ka thënë Nrecaj.

Kryesuesi i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, vendimin për ndërprerje të licencimeve e quajti politik.

Këtë e kundërshtoi anëtarja e Komisionit, Mimoza Kusari-Lila, që tha se ndërprerja u bë me synimet për krijimin e një zyre që evidenton pronën publike.

Ndërsa, ekonomisti Adem Qorrolli, ka thënë se pezullimi i licencave ndikon në të gjithë zinxhirin ekonomik.

“Ndikon në çmimin e betonierkave, ndikon në çmimin e betonit si kub dhe sigurisht pritet që të rritet deri në 35 për qind çmimi për kubik në pjesën e betonit. Por, ajo çka është alarmante, çdo betonierkë ka 8-10 punëtorë aktiv”, ka deklaruar Qorrolli.

Lidhur me situatën e krijuar, KOHA dërgoi pyetje edhe në Agjencinë e Pyjeve porse nuk mori përgjigje. E në dokumentet që i posedon KOHA, shihet se në këtë agjenci ekzistojnë afro 3 mijë lëndë për marrje të tokave pyjore me qira.