Punimet e rinovimit kanë pamundësuar nisjen e procesit mësimor në shkolla fillore të Komunës së Shtimes. Për pasojë, larg bankave shkollore kanë mbetur rreth 1 mijë e 200 nxënës. E prindërit e disa prej tyre kanë kritikuar Komunën për nisjen e vonshme të punimeve
Rreth 1 mijë e 200 nxënës të shkollës fillore “Emin Duraku” në Shtime dhe asaj “Hasan Prishtina” në fshatin Godanc nuk e nisën të premten vitin e ri shkollor, si pasojë e punimeve të rinovimit që filluan disa ditë më parë.
Disa prindër të nxënësve që mësimin e vijojnë në ndërresën e mëngjesit u ankuan se fëmijët iu kthyen në shtëpi, pa qenë të informuar se procesi mësimor nuk do të mbahet.
Ata e kritikuan Komunën për nisjen e vonshme të punimeve të rinovimit dhe për pasojë, humbjen e orëve mësimore.
“Nuk është mirë që mos të fillojë mësimi, duhet me pas parasysh komuna. Ku ishte pushimi vjetor, pse nuk kanë punuar deri tash. Sot me shty mësimin është katastrofë, vdekje”, ka thënë banori Sabit Shaqiri.
Kritika për Komunën u shprehën edhe nga Partia Demokratike, që është në opozitë në Shtime.
“Një pamje e turpshme, një veprim amatoresk i kryetarit Qemajl Aliu dhe drejtoreshës Yllka Fejzullahu për një vend që pretendon të vlerësojë arsimin. Pse pushteti lokal nuk planifikoi këto renovime në muajt e verës, kur nxënësit nuk janë në shkollë? Këtë përgjigje as ata vetë nuk e dinë. Por, nuk janë vetëm këto dy shkolla që janë të prekura nga kjo katrahurë e pushtetit. Shkollat e tjera po ashtu do të ndërpresin mësimin në ditët në vijim për shkak të rinovimeve. Shkolla Mesme Profesionale (IAAP) në Shtime, shkolla ‘Bajram Curri’ në Petrovë, dhe shkolla në Davidovc pritet të ndërpresin mësimin po ashtu”, thuhet në reagimin e PDK-së në Shtime.
Yllka Fejzullahu, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Shtimes, ka konfirmuar për KOHËN se renovime janë paraparë në pesë shkolla të Komunës.
“Aktualisht është duke u punuar në shkollën “Emin Duraku” në Shtime dhe shkollën “Hasan Prishtina” në Godanc dhe kjo e fundit pritet të përfundojë në fund të kësaj jave, ndërsa te “Emin Duraku” një pjesë do të rregullohet dhe gjatë javës që vjen nxënësit do ta zhvillojnë mësimin në pjesën e përfunduar”, ka thënë Fejzullahu.
Ajo vonesat i ka arsyetuar me mosvotimin në tri seanca të Kuvendit Komunal të bartjes së mjeteve që janë paraparë për rinovime.