Deputetët do të mblidhen sërish për ta vazhduar seancën e konstituimit të Kuvendit, të nisur më 15 prill. Monitorues të punës së Kuvendit janë skeptikë se edhe kjo mbledhje e ligjvënësve mund të prodhojë rezultate. Ata propozojnë që presidentja Vjosa Osmani të përfshihet për t’i dhënë kah situatës
Seanca konstituive e nisur më 15 prill e që do të vazhdojë të premten në orën 10:00, nuk pritet të prodhojë rezultate, thonë monitorues të punës së Kuvendit.
Në këtë situatë, ku bllokada është krijuar te kundërshtimi i kandidates së Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, është propozuar përfshirja e sërishme e presidentes Vjosa Osmani.
Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se presidentja duhet t’i ftojë udhëheqësit e partive politike në një takim konsultativ.
“Meqenëse jemi në një bllokadë politike, roli i presidentes në këtë situatë mund të jetë më tepër si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës. Nuk ka asnjë pengesë që e njëjta të ftojë të gjithë krerët e partive politike dhe nga ajo të shikohet se si të dilet nga kjo krizë politike”, ka thënë Bugaqku.
Pas mbledhjes së parë më 15 prill, kur nuk u votua as raporti për kuorum dhe mandate, presidentes Vjosa Osmani iu kërkuan këshilla se si të veprohet. Në letrën e saj drejtuar kryesuesit Avni Dehari, ajo kërkoi që deputetët të gjejnë vetë zgjidhje për ngërçin.
Por nga Lëvizja Vetëvendosje janë deklaruar edhe të enjten se nuk do të heqin dorë nga propozimi për ta bërë kryeparlamentare Haxhiun, ndonëse në tri runde votimi ajo ka marrë nga 57 vota. E për t’u zgjedhur i duhen minimumi 61.
“Nuk ka ndërruar emri”, ka thënë në një përgjigje për REL-in, kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari.
Dehari po ashtu ka thënë se nuk ka thirrur asnjë takim konsultativ me partitë politike para vazhdimit të seancës konstituive, e caktuar për të premten në orën 10:00.
“Jo, e kemi kryer takimin konsultativ, tash do të vazhdojmë me mbledhjen, siç është në plan”, ka shtuar Dehari.
Përgjigje se si do të kalohet ky ngërç nuk ka dhënë as lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti gjatë një vizite në rajonin e Hasit të enjten.
E Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se në një takim të mundshëm të presidentes me liderët partiakë mund të ofrohen dy zgjidhje.
Një, të gjendet një kandidat konsensual dhe, dy, çështja të adresohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Të shkohet me kërkesë te presidentja e Kosovës për dy rrugë: që nga ai takim të prodhohet një kandidat konsensual ose që ky kandidat të votohet, dhe nëse nuk ka sukses të shkohet me kërkesë ndaj presidentes që ajo të adresojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, për të vlerësuar se çfarë duhet të ndodhë më tutje”, ka thënë Jakaj.
Korniza ligjore në Kosovë nuk e specifikon se sa herë ka të drejtë partia fituese e zgjedhjeve, në këtë rast Vetëvendosje, të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Nga pesë takime deri tash, propozimi i VV-së për Haxhiun kryeparlamentare është hedhur në votim tri herë dhe në të tria rastet ka dështuar.